TIRANE, 23 shtator 2013 – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti sot në një takim, ambasadorin e Greqisë, Leonidas Rokanas.
Në takimin e mbajtur në selinë e Partisë Demokratike, u shkëmbyen pikëpamje mbi marrëdhëniet dypalëshe, rajonin dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Ambasadori i Greqisë, Rokanas vlerësoi dhe falenderoi Partinë Demokratike për rolin që qeveria e saj luajti në suksesin e projektit më të rëndësishëm ekonomik të rajonit, atë të Gazsjellësit Trans-Adriatik, TAP. Ai vlerësoi në vecanti punën dhe lobimin e Kryeministrit Beriisha për suksesin e këtij projekti, që do të shndërrojë në mënyrë rrënjësore ekonomitë e vendeve tona.
Në takim u diskutua gjithashtu mbi rolin e Partisë Demokratike gjatë qeverisjes së saj në konsolidimin dhe avancimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe bashkëpunimin edhe në të ardhmen në kuadër të forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve tona.
Basha shprehu bindjen se Bashkimi Europian do të miratojë statusin e vendit kandidat për Shqipërinë brenda vitit si rezultat i punës dhe përpjekjeve të jashtëzakonshme të qeverisjes së Partisë Demokratike. Ai e siguroi ambasadorin Rokanas se Partia Demokratike do të vazhdojë luajë një rol të rëndësishëm dhe konstruktiv në procesin e integrimit Europian të Shqipërisë dhe kërkoi mbështetjen e plotë të shtetit fqinj në këtë proces.





