Kreu i Partisë Demokratike ka komentuar listën e PS-së për zgjedhjet e 25 prillit, sidomos atë të qarkut Durrës. Në një bashkëbisedim me gazetarët nga selia blu, Basha tha se edhe këtë herë Rama futi në listë emra të lidhur me krimin dhe shit-blerjen e votave.
“Listë me Çyrben e famshëm. Kandidatët e tjerë Ndraxhi, Rrahman Rraja, emër i njohur tashmë edhe ndërkombëtarisht. Shumë të tjerë janë fshehur që përfaqësojnë këto klane kriminale. Tetë vjet në pushtet, këta njerëz e kanë qeverisur e kanë pasur pushtetin. Pas tetë vjetësh e vetmja gjë që ai ofron është një cipë, çarçaf i arnuar ku gëlojnë hajdutët e mëdhenj.
Zëri i shoqërisë në media, shkencëtarë, akademikë, intelektualë, na bashkon një gjë, të jemi energjia dhe shpresa e kthyer në realitet e çdo shqiptari. Pas 25 prillit, ndryshimi do të jetë i prekshëm për të gjithë.
Ndryshimi do të vijë edhe për ata socialistë të zhgënjyer. Ju them mos jini zemërthyer, ndryshimi po vjen edhe për ju. Do të fitojë çdo shqiptar. Një grusht njerëzish nuk do që Shqipëria të ndryshojë”, tha Basha.





