Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i PD-së Lulzim Basha është shprehur kundër pezullimit të vizave për Kosovën.
Kjo për shkak të raporteve me Serbinë, është vendosur që përkohësisht të pezullohet vendimi për heqjen e vizave të kosovarëve drejt vendeve të BE-së.
Kjo për Bashën nuk është rruga e duhur. Ky mendim u shpreh dhe më herët nga presidenti Macron gjatë takimit në Tiranë me kryeministrin Rama.
Basha shprehet se Evropa nuk mund të bëjë sikur nuk ka ndodhur asgjë më 24 shtator, kur humbi jetën oficeri i policisë së Kosovës Afrim Bunjaku nga trupa paramilitare serbe në Banjskë.
Gjithashtu Basha shprehet se është momenti që Kosova të anëtarësohet në Aleancën e NATO-s, për shkak të kontributit të saj për stabilitet në Ballkan dhe Evropë.
Postimi i Bashës në FB:
Penalizimi i qytetarëve të Kosovës nuk është rruga e duhur për të sjellë palët në dialog e as për ti dhënë zgjidhje mosmarrëveshjeve mes Kosovës e Serbisë.
Europa nuk mund të vazhdojë të sillet sikur asgjë nuk ka ndodhur me 24 shtator dhe as të mbyllë sytë përballë përgjegjësisë së Serbisë, presidenti i të cilës sfidon hapur, duke refuzuar sanksionet ndaj Rusisë dhe duke u shfaqur në krah të Vladimir Putin.
Skenarët për destabilizimin e gjithë rajonit janë para syve të çdokujt, ndaj është i domosdoshëmi angazhim maksimal Euro-Atlantik në dialogun Kosovë-Serbi, për zbatimin e planit Franko-Gjerman dhe përmbylljen me një marreveshje që ka në qendër njohjen reciproke.
Si kontribut për paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe Europë tani është koha që 4 vendet e mbetura të NATO-s ti hapin rrugë anëtarësimit të Kosovës në Aleancë duke nisur me përfshirjen në Partneritetin për Paqe.