Tiranë, 17 qershor 2014 – Shqipëria ka plotësuar kriteret për statusin, por qeveria është kundër standardeve të Kopenhagenit. Kështu ka deklaruar kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë një takimi me delegacionin e qeverisë austriake, kryesuar nga Ministri i Jashtëm, Sebastian Kurz. 

Basha e njohu Ministrin e Jashtë austriak me zhvillimet negative në vend që shkojnë në kundërshtim me kriteret e Kopenhagenit, që kanë të bëjnë me zëvendësimin e sundimit të ligjit nga arbitrariteti qeveritar, me moszbatimin e vendimit të gjykatave nga qeveria, me shkarkimet masive në administratë pa motiv ligjor, dhe me emërimet problematike të personave me precedent penalë në poste kyçe. Kjo situatë sipas Bashës, ka ndikuar në përkeqësimin e ndjeshëm të gjendjes së rendit në vend. 

Nga ana tjetër, Basha, i kërkoj Kurz intensifikimin e angazhimit austriak për vendimin e javës së ardhshme. Më tej kreu i PD-së, ka falenderuar palën austriake për gjithë kontributin e dhënë në këto vite ndaj Shqipërisë në procesin e integrimit evropian. 

Kryetari i Partisë Demokratike i përsëriti ministrit të jashtëm austriak, qëndrimin e opozitës për mbështetje pa kushte për marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria në mbledhjen e qershorit. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/