Kreu demokrat Lulzim Basha u shpreh sot se në krye të PD i është dashur të marrë vendime të vështira, por gjithmonë kanë qenë në interes të shqiptarëve. Basha tha se misioni i PD ka qenë dhe mbetet për t´a bërë Shqipërinë si gjithë Europa.

Basha foli për vlerat dhe parimet e PD-së që e bëjnë këtë parti si më pro-amerikanen dhe pro-europianen në Shqipëri.

“Për fat të keq kur ne prisnim që gishti i përgjegjësisë të drejtohej ndaj Edi Ramës, të gjithëve bashkë na u desh të njiheshim me vendimin e DASH për shpalljen non grata të liderit historik të PD, Sali Berisha. Ky ishte një nga vendimet më të vështira për mua si demokrat, si bashkëpunëtor i afërt i liderit Berisha, apo si kryetar i PD.

Unë jam dëshmitar se sa rëndësi dhe vlerë ka pasur për Berishën mbrojtja e interesit publik. Prandaj që ditën e parë kur u njoha me vendimin e DASH kërkova fakte dhe dokumente lidhur me këtë vendim”, tha Basha.

Ai ka vlerësuar arritjet e Qeverisë së drejtuar nga Sali Berisha, duke shtuar se të gjitha këto arritje u realizuan në bashkëpunim me partenrin strategjik, SHBA.

“PD mbështet kërkesën për transparencë të bërë nga z. Berisha, i cili ka marrë edhe vendimin e tij për t´a ndjekur atë në rrugë ligjore, për të brojtur dinjitetin e tij. Partneriteti i PD është i pacënueshëm dhe do të duhet të mbetet i tillë”, tha Basha.

Ai tha se z. Berisha nuk do të jetë më anëtar i Grupit Parlamentar të PD, deri në zbardhjen e plotë të çështjes.