Ish-kreu i PD-së Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me të rinjtë në Vlorë, nga ku ka hedhur akuza sërish ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.
Basha tha se marrëveshja Berisha-Rama e 2008 dëmtoi bashkëjetesës demokratike. Ai deklaroi se platforma për ndryshime kushtetuese, projekt jo për emra të përveçëm, por mbi ide të përbashkëta
“Edhe një herë, është kënaqësi e madhe të ndodhem në mesin tuaj sot. Momenti që po diskutonim ftesën për të ardhur në Vlorë, filloi një pritshmëri pozitive për tu rikthyer pas një kohe të gjatë në mesin e qytetarëve vlonjatë, në veçanti në mesin e rinisë vlonjate.
Ka qenë një kohë e mbushur me zhvillime, e mbushur me pritshmëri, e mbushur edhe me zhgënjime. Por ajo që ka rëndësi është jo vetëm çfarë kemi kaluar, që është e rëndësishme, por ku do të shkojmë?
Dhe kjo është një pyetje që gjithsecili ia bën vetes. Edhe atyre që janë shumica, për fat të keq në vlorë dhe në Shqipëri, që s’po iu ecën ashtu siç duhet, por edhe dikujt që po iu ecën. Ku do të shkojmë që këtu?
Dhe më shumë sesa për të treguar rrugën ku do të ecim, do të doja të bëja një bashkëbisedim se si e shikoni këtë rrugë. Pa diskutim që unë kam një vizion, një projekt do të thosha, për të rregulluar ato aspekte të jetës politike, prishja e të cilave ka ndikuar jetën ekonomike dhe jetën shoqërore të Vlorës dhe gjithë Shqipërisë.
Dhe besoj se këto tre-katër herë që kam pasur mundësi të shprehem publikisht, pas një viti e pak heshtje të gjatë, i kam bërë të ditura disa prej këtyre pjesëve të një projekti apo vizioni, se si mund ti bëjmë gjërat më mirë. Por, sado që duam t’i shmangemi, nuk i shmangemi dot përse erdhëm këtu? Dhe ku jemi? Jemi në një Vlorë pa konkurrencë, pa mundësi për gjithë vlonjatët dhe në veçanti për rininë”, deklaroi Basha.