Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka mbyllur sot fushatën në qytetin e Shkodrës, i cili në datën 6 mars do të shkojë në zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie.
Teksa i ftoi të gjithë të dalin masivisht në votime, kreu i demokratëve u shpreh se të bëhemi bashkë për një Parti Demokratike, duke votuar Xhemal Bushatin.
Duke e cilësuar Shkodrën si i vetmi fanar që nuk shuhet kurrë edhe në ditët më të errëta, ai i ftoi që të gjithë të bëhen bashkë për të çarë rrethimin e të keqes.
“Kam pasur dëshirën për të qenë në këtë qytet. Kam gjetur një Shkodër të rrethuar nga mjerimi, krimi. Këtu gjeta shtigjet ku shkodranët kishin thyer regjimin komunist. Shkodrën e gjeta të rrethuar nga uji, këto 8 vitë nga padrejtesia, varfëria. Por sa herë kam qenë në mesin tuaj, kam parë vendosmëri për mos t’iu dhënë rrethimit dhe rrethuesve, për ta plasaritur murin rrethues me forcën tuaj të bashkimit të zemrave kundër të keqes. Kjo ka bërë që në ditet më të errëta cdo shqiptar ti kthehet nga i vetmi fanar që nuk shuhet kurrë, nga Shkodra.
Në këto zgjedhje këtë të diel, fanarit i keni vënë fytyrën tuaj, atë të qytetarit, familjarit, fytyrën e Xhemal Bushatit, i cili edhe në këtë rrethim ku ndodhemi është bërë zëri juaj, forca juaj për të mos lejuar Shkodrën të bjerë në errësirë. Zonja dhe zotërinj ju ftoj këtë energji të mbledhur ditë pas dite ta derdhni vrullshëm, të gjithë bashkë për të çarë rrethimin e të keqes ti japim Shkodrës tek e nesërmja, te ndryshimi që po vjen, të gjithë masivisht drejt kutive të votimit. Zoti e bekoftë Shkodrën dhe Shqipërinë“, tha Basha.





