TIRANË-Kryebashkiaku Lulzim Basha zhvilloi një bashkëbisedim me anëtarët e Bashkimit Ndërkombëtar të Forumeve Rinore të Qendrës së Djathtë (IYDU). Duke u uruar mirëseardhjen të rinjve nga e mbarë bota, Basha bëri një prezantim të axhendës së tij në krye të Bashkisë e cila mbështetet në 3 parime; zhvillimi ekonomik, shanse më mira për punësim, veçanërisht për të rinjtë në qytet, cilësinë e jetës dhe projekte strategjike që do ta kthejnë Tiranën në një qytet modern evropian. 

“Ajo që ne kemi sjellë në axhendën e Bashkisë për herë të parë në Shqipëri, është përgjegjësia për zhvillimin ekonomik, përgjegjësi për punësimin dhe përgjegjësi për të ardhmen e të rinjve në qytet. Pikë së pari, duke krijuar një klimë pozitive që do të thotë një sistem fiskal të përshtatshëm dhe një nga masat e para të miat këtu në Këshillin Bashkiak, aprovuar në mbledhjen e parë të Këshillit të ri Bashkiak ishte eliminimi i 62 taksave dhe tarifave nga një listë e gjatë taksash me të cilën qyteti përballej. 62 taksa e tarifa u eliminuan dhe biznesi e pa këtë si një shenjë pozitive” 

Basha bëri me dije se pas një viti qeverisjeje rezultojnë 7 mijë të punësuar të rinj taksapagues. 
“Më pas vijuam me krijimin e një qendre “one stop shop” për lejet dhe licencat, duke imponuar afate kohore, sa i përket periudhës së aplikimit dhe marrjes së një lejeje apo licence, gjë që ishte sukses i madh. Pse e them këtë? Pasi pas një viti qeverisjeje, pra në korrik 2012, sipas statistikave të Tatim-Taksave rezultojnë 7 000 të punësuar të rinj taksapagues, ndërkohë që 2011-2012 rezultoi një vit tepër dramatik për ekonomitë e shumë vendeve rreth nesh, pra 7 000 vende të reja pune (neto), pasi në total numri i vendeve të punës të krijuara është 32 mijë”. 

Kryebashkiaku Basha bëri të ditur se së bashku me Dhomën e Tregtisë ka nisur shkëmbimi i informacionit midis punëkërkuesve dhe punëdhënësve. 
“Sot, në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë kemi të stacionuar punonjës të Bashkisë, roli i vetëm i të cilëve është të koordinojnë ofertën për punë me kërkesën për punë. Përmes një koordinimi më të mirë mes kërkesës dhe ofertës, ne kemi bërë të mundur që nga fundi i verës së kaluar deri në dhjetor të sigurojmë më shumë se 1500 vende të reja pune për të sapodiplomuarit, me kualifikime apo me praktika pune apo për të rinjtë nën 30 vjeç”. 

Kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha bëri një prezantim dhe të projekteve strategjike të Bashkisë së Tiranës, që nga bulevardi i ri, lumi i Tiranës, trami, terminali etj. 

“Qyteti po angazhohet me një skemë të gjerë të rizhvillimit urban dhe së shpejti do të kemi disa vepra të rëndësishme publike, ku do të shohim dyfishimin e infrastrukturës në pjesën veriore të qytetit, zgjerimin në pjesën e bulevardit veri – jug dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës të cilin asnjë prej jush nuk e ka parë, pasi ndodhet në periferi të qytetit dhe ka qenë një ndër zonat më të ndotura nga ana ekologjike. Ne kemi punuar për infrastrukturën anash tij, për ta kthyer në një park të gjelbër. Po ashtu, kemi avancuar në lidhje me transportin publik dhe lëvizshmërinë, për linjën e tramit. Linjat kryesore në kryeqytet do të zëvendësohen me atë të tramit dhe për këtë Franca dhe BE kanë dhënë grante për financimin e studimeve të fizibilitetit të tij. Besojmë se vitin tjetër do të nisim njërin prej tyre. BERZH ka financuar sa i takon fazës konsultuese dhe ndërtimin e stacionit multimodal në periferi të qytetit. Po ashtu, jemi përqendruar në projektet për jetën e qytetarëve, vepra publike, riparime të rrugëve, trotuareve, ndërtimin e shkollave të reja dhe në aspektin e zhvillimit ekonomik që luan Bashkia, në realizmin e këtyre projekteve” – u shpreh z. Basha. 

Përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje dhe dëgjimin e zërit të tij, Kryebashkiaku Basha e ka konsideruar si çelësin e suksesit, në adresimin e saktë të problematikave të qytetit. Kreu i Bashkisë i ka njohur të rinjtë me praktikat aktuale të dëgjimit të zërit të qytetarëve, ku çdo të premte vetë Kryebashkiaku takohet me qytetarë e po kështu një ditë në javë, çdo drejtor ka një orar të përcaktuar për tu takuar me ta.