4 qershor 2015 – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë një takimi me banorët e Ishmit, në qytetin e Durrësit, u shpreh sa këta banorë sot po vuajnë një degradim të madh të shëndetësisë, edhe pse u premtua se do ta kishin falas.
Pashpirtësia e kësaj qeverie, me në krye dyshen Rama-Meta, sipas Bashës arrin deri aty sa shtyn drejt vetëvrasjes së qytetarëve për vetëm 3 mijë lekë energji të papaguar. Basha thotë që edhe pse kanë rritur taksat dhe çmimet sot në arkat e shtetit mungojnë plot 100 milionë dollarë.
“Skandal pas skandali, 5 milionë dollarë nga fondi i kompensimit për insulinën dhe sëmundjet e rënda, ku janë? Ku janë zhdukur? Ku janë 100 milionë dollarë, që duhet të ishin sot në arkën e shtetit me taksat e rritura, me akcizat e rritura, ku janë?
Prandaj ka kërcitur kërbaçi mbi kokat e shqiptarëve, prandaj rrëmohet deri në qindarkën e fundit në xhepat tuaj, se i fali ose ndau, 600 milionë euro me CEZ-in. Do të japë llogari më 21 qershor, do të japë llogari në Ishëm, do të japë llogari në Durrës, do të japë llogari në Tiranë, do të japë llogari në të gjithë Shqipërinë”, është shprehur Basha.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/