Debate të forta janë shënuar sot në Kuvend, ku kanë pasur për protagonist kryesor ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja dhe kreun e PD-së Lulzim Bashën.

Basha i është drejtuar sot ministrit se drejtësia për të mund të vonojë por nuk do ta harrojë.

Nga Foltorja e Kuvendit, Basha tha se ministrit mund t’i duket vetja i përkëdhelur nga posti që ka marrë, por do vijë dita që do japë llogari.

Manja: Sa për dosjen 184, unë s’kam asnjë kompleks. Zoti Basha, e kam me ty. Ri në rregull siç jam unë me drejtësinë, po ishe ti i gatshëm me drejtësinë siç jam unë në mënyrë konsistencë. Ji në rregull. Unë si shmangem prokurorisë me raporte mjekësor dhe as me procedurë. Dakord!

Basha: Tani e kuptoj pse është e rëndësishme të mos i lëmë horrat dhe banditët, që të festojnë një ditë kur ONM të largohet dhe gjyqtarët e prokurorët jo 50-60% siç i emëron sot Ulsiu, por t’i emërojnë 100% këta. E kuptojmë ankthin e tyre, Dibra është një krim i pagjykuar. Ky që i premtonte hajdutit të votave promovimin, është promovuar vetë. Ja kam thënë dhe ambasadorëve, që e kanë për detyrë të takojnë ministrin e Drejtësisë, që duart po ja japin aleatëve të krimit. Që ai që është sot ministër drejtësie, në një vend normal do të ishte dënuar. Ka një gjë, drejtësia mund të vonojë, sa më shumë vonon, aq më shumë dëmton, por nuk mungon. Kujtohu pak për ish-kolegun tënd, ministrin e Brendshëm, dhe kapërdisjen e tij, majë më majë, shesh më shesh, madje edhe rrugëve të botës. Mendohu mirë Ulsi Manja, se për momentin mund të të duket vetja i përkëdhelur, i mbrojtur, por harroje ti se nuk do të vijë dita që të japësh llogari edhe ti me pjesën tjetër të bandës së strukturuar kriminale për dosjen 184”, tha Basha.