ELBASAN, 7 korrik 2013 – Gara për kreun e ri të Partisë Demokratike, për të dy kandidatin Lulzim Basha që garon për këtë post, nisi pasditen e djeshme me takimin me strukturat e PD-së në Elbasan.

Kandidati Lulzim Basha njëherësh kreu i Bashkisë së Tiranës, zgjodhi që takimin e parë ta zhvillojë me demokratët e qytetit të Elbasanit, ku në zgjedhjet e 2009 drejtoi grupin e punës.

Gjatë fjalës së tij para anëtarëve të PD-së, në sallën e teatrit "Skama" në Elbasan, Basha vuri theksin tek marrja e përgjegjësive për humbjen e 23 qershorit, që prodhoi një rezultat që nuk përputhej me pritshmëritë e demokratëve për sukses, teksa bëri thirrje për mobilizim të të gjithë strukturave për tu rikthyer fuqishëm në mazhorancë sa më parë. 

“Bashkimi i së djathtës moto e platformës time”, theksoi Basha, me qëllim ndërtimin e një mazhorance reale për të nesërmen. 

"Në platformën time qëndron edhe vullneti për një bashkëpunim të hapur me të gjithë faktorët e djathtë, në formatin e një të djathte të bashkuar shqiptare, qëndrestare të vlerave dhe rikrijuese të vlerave që do të na kthejnë së pari në mazhorancë morale dhe së dyti në mazhorancë zyrtare. Natyrisht, lidershipi i mbetet bashkë me përgjegjësinë Partisë Demokratike dhe ky lidership duhet dhe do të demostrohet në disa mënyra, në qëndrimin tonë të palëkundur dhe pa kompromis në opozitë me këtë mazhorancë, për të gjithë arsyet që përmenda por në përputhje me atë çka qytetarët shqiptarë presin dhe janë mësuar të kenë nga demokratët, interesi kombëtar mbi të gjitha", tha Basha. 

Kandidati Basha u ndal edhe tek arritjen e demokratëve në 8 vite pushtet. Basha bëri një bilanc pozitiv të qeverisjes së demokratëve, teksa tha se PD ringriti vendin nga kolapsi ekonomik ku ishte, duke nënvizuar se ‘PD është partia e sakrificave, partia e Sali Berishës. Partia që i dhamë shpresë vendit.”. 

Lidhur me mazhorancën aktuale, Basha theksoi se, “jemi PD dhe synojme të marrim pushtetin. Kemi përballë një mazhorancë të një vote të deformuar. Nuk e vë në dyshim rezultatin, por legjitimitetin. Kjo mazhorancë do të jetë prepotente. Ajo së shpejti do të na shfaqet në opozitë të hapur me interesin publik. Këtu duhet që PD të jetë një opozitë e fortë”.