Tiranë, 1 gusht 2014 – Partia Demokratike e konsideron të papranueshme hartën e re administrativo-territoriale, që u miratua një ditë më parë në Kuvend. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha se opozita nuk do ta pranojë kurrë ndarjen territoriale, që siç tha ai, injoroi zërat kundër, u përgatit pa konsensus e gjithëpërfshirje dhe shkeli rëndë Kushtetutën.
“E nisën së prapthi dhe e përfunduan së prapthi. Jo nga decentralizimi por nga harta. E nisën kundër kushtetutës dhe e përfunduan kundër Kushtetutës, e cila kërkon mendimin e qytetarëve. Përmes aktit të djeshëm dyshja Rama-Meta është investuar fuqishëm për politikën e konfliktualitit dhe ka goditur bashkëjetesën demokratike në Shqipëri. Harta antikushtetuese e shumicës Rama-Meta është e papranueshme dhe nuk do të pranohet kurrë. Fjalën e radhës e kanë institucionet e pavarura që janë gardianë të Kushtetutës. Fjala e fundit është e qytetarëve që kanë të drejtë të ngrenë gishtin ndaj qeverisë oligarkike që refuzoi t’i pyeste.”- u shpreh Basha.
Sipas Bashës,”mazhoranca nuk e dha kurrë konsensusin për opozitën, por ftuan opozitën t’i bënte fresk hartës së tyre, duke injoruar kërkesat e PD-së. Paturpësia nuk turpërohet, por shqiptarët i refuzojnë me përbuzje dhe indinjatë të thellë këto turpe. Ne kërkuam në çdo moment që decentralizimi të printe dhe ndarja territoriale të vinte më pas, por dyshja Rama -Meta i shpërfilli këto kërkesa. PD beson në qëndrimin e drejtë ligjor të institucioneve kushtetuese dhe reagimin qytetarëve si fuqia madhore e demokracisë. Ne do të jemi me ta.”.
PYETJE NGA GAZETARET
Cfarë prisni nga Presidenti, prisi që të mos të kthejë ligjin për ndarjen e re territoriale?
Pres që institucioniet duhet të bëjnë gardianin e kushtetutës.
Opozita bojkotoi seancën e fundit të Parlamentit, por jo PDIU, pjesë e koalicionit opozitar. Ata votuan Reformën Territoriale. Do përjashtohet PDIU nga opozita?
Nuk ka fare rëndësi se me cfarë manovrash apo pazaresh bëhet përpara. Opozita është përjashtuar nga këto pazare dhe këtë e dinë të gjithë që ne nuk bëhemi pjesë e pazareve dhe nuk pranon kocka që i ofrohen
A do të merrni pjesë në zgjedhjet e ardhshme?
Qëndrimi është i qartë. Harta është e papranueshme dhe ne nuk do e pranojmë kurrë. Tani interesi jonë është qytetari dhe hallet e tyre. Ky është imperativi i sotëm, shkelja flagrante e traditës së konsensusit është shumëfishuar.
Domethënë nuk do të merrni pjesë në zgjedhjet lokale?
Ne do të dalim në atë pikë kur të vijë kohë, ju doni tani një përgjigje, por përgjigja jonë është e qartë dhe do japim përgjigje kur të vijë koha.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





