TIRANE – Kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha ka inspektuar sot punimet në rrugën “Pjetër Bogdani”, në njësinë bashkiake nr. 5. Punimet në këtë rrugë parashikojnë ndërtimin e kanalizimeve, ujësjellësit, ndriçimin, gjelbërimin, etj.
“Ndërhyrjet shtrihen anembanë qytetit. Përshtypja se këto ndërhyrje shtrihen vetëm në periferi është e gabuar, sikundër përshtypja se qendra nuk ka nevojë për ndërhyrje të thella është e gabuar. Për këtë mjafton të pyesim qytetarët e rrugës “Pjetër Bogdani”, të cilët e dinë fare mirë se në këtë zonë nuk pasur asnjë ndërhyrje thelbësore në 20 vitet e fundit. Sot madje, gjatë takimit me qytetarët m’u vu në dukje se ka rrugë, pikërisht në këtë zonë, ku nuk është ndërhyrë që në vitet ’70, gjë që do të thotë se sfidat tona janë të mëdha, por njëkohësisht është i madh edhe përkushtimi ynë, vendosmëria jonë dhe falë kapaciteteve e vullnetit të ri të kësaj administrate, edhe mundësia jonë për t’u dhënë banorëve të qytetit të Tiranës, në qendër apo periferi cilësinë e munguar të infrastrukturës, që është e pandarë nga cilësia e re e jetës në qytet, si angazhimi im primar si kryetar i Bashkisë” – u shpreh Basha.
Sipas Bashkisë së Tiranës, punimet në këtë rrugë me gjatësi 540 metra do të zgjasin për një afat 6 mujor dhe po kryhen në segmente të ndara, për të minimizuar impaktin në lëvizje, duke qenë se është një nga zonat me fluks të lartë të qarkullimit të qytetarëve dhe mjeteve. Me një investim prej 40 milionë lekësh, nga buxheti i Bashkisë së Tiranës por edhe nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve të qeverisë shqiptare, rruga do të ketë një gjerësi 6 metra dhe trotuarë nga 2 metra.
“Përfundimi i punimeve, së bashku me disa prej arterieve kryesore të kësaj zone e cila njihet si ish-zona e Bllokut do u japë banorëve cilësinë e munguar të infrastrukturës, do të përmirësojë drejtpërdrejt cilësinë e jetës së tyre të përditshme dhe do i japë kryeqytetit një arterie të standardit evropian, për sa i përket përshkueshmërisë dhe jo vetëm lagjes ku jep impaktin për banorët. Përkrah planit urbanistik dhe zhvillimeve që ai do të sjellë në hartën e qytetit të Tiranës, në periferi dhe qendër, ne nuk do të ndalim investimet. Nuk do të ndalim investimet edhe aty ku nuk është investuar prej shumë kohësh, sikundër poshtë asfaltit, në zonat kryesore të qendrës ndodhen “infrastruktura” të shkatërruara apo mungesa totale të infrastrukturës, ndaj edhe nevoja për të përparuar me investime publike anembanë qytetit është evidente. Për këtë arsye, sot ndodhemi këtu, për të përparuar me investime, në të njëjtën mënyrë siç bëjmë edhe në periferi, pasi përshtypja se vetëm periferia ka mbetur pa u ndërtuar është thellësisht e gabuar” – theksoi Basha.