“Kriminelët duhet të jenë në burg dhe jo në parlament. Kriminelët duhet të jenë në burg dhe jo të menaxhojnë fushata elektorale. Ka ardhur koha që pas 21 vjetësh, vjedhjesh, krimesh dhe shkatërrimesh, njeriu që futi krimin në politikë të dalë para drejtësisë” – tha në një konferencë për mediat kreu i PD-së Lulzim Basha i cili komentoi atë që do të ndodhë të dielën.

“Sa i përket 30 qershorit, plani i Edi Ramës për destabilizim dhe luftë mes shqiptarëve, do të dështojë. Shqiptarët janë bërë bashkë si kurrë më parë në mbrojtje të demokracisë për të mos lejuar farsën elektorale dhe krimin kushtetues të regjimit autokratiko-kriminal. 30 qershori është dita kur nis fundi i regjimit të Edi Ramës” – tha Basha.

Basha reagoi edhe për vendimin e Kolegjit Zgjedhor që sipas mazhorancës përkthehet në certifikim të mbajtjes së zgjedhjeve në 30 qershor. Sipas Bashës, ky vendim ishte i parapërgatitur nga Rama, sepse sipas tij, ishte një skenar i trashë me një kërkesë false, nga një parti false.

“Kolegji zgjedhor ka marrë sot një vendim krejtësisht të parëndësishëm, por që po përdoret nga Edi Rama si makinacion për të krijuar një ligjshmëri fallco të votimeve farsë të 30 qershorit, të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po i përgatit dhe zbaton në shkelje të Kushtetutës dhe të çdo ligji. Kolegji zgjedhor ka kompetencë vetëm shqyrtimin e mosmarrëveshjeve që lidhen me procesin zgjedhor, dhe vetëm në bazë të Kodit Zgjedhor. Asnjë institucion përvec Gjykatës Kushtetuese nuk mund të shprehet për dekretin e Presidentit të Republikës” – tha Basha.

Sipas Bashës vendimi i sotëm kishte disa ditë që dihej si fakt i kryer në rrethet politike dhe mediatike të Tiranës.

“Lehtësia me të cilën ndodhi e gjitha kjo, përpara syve dhe vëmendjes së të gjithë shqiptarëve, tregon jo vetëm kontrollin e plotë që Edi Rama gëzon mbi drejtësinë, dhe mbi çdo institucion të vendit por edhe shpërfilljen totale që ai ka ndaj ligjit, institucioneve dhe demokracisë. Mbi të gjitha, vendimi i sotëm tregon natyrën fallco dhe fasadë të të gjithë sistemit institucional shtetëror, i cili ka humbur tashmë çdo funksion kushtetues dhe politik dhe është reduktuar vetëm në funksionin e fasadës, për të mbuluar dhunimin e Kushtetutës, të ligjit dhe të çdo norme demokratike nga Edi Rama” – tha Basha.