9 gusht 2013– Në një postim në rrjetin e tij social Facebook, Kryetari i PD, Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me hapat e ndërmarrë nga Rama për ndryshimet në politikën e jashtme të Shqipërisë. Ai i ka komentuar lëvizjet e Ramës si amatoreske dhe dëmtojnë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.

"Vendosja publike e një rendi të rëndësisë strategjike midis fqinjëve, është çoroditëse për perceptimin ndërkombëtar të vendit. Kujdes! Politika e jashtme dhe institucionet e sigurisë kombëtare nuk janë në vendet demokratike, instrumente të propagandës dhe kapitalit politik.Politika e jashtme dhe integrimi evropian i Shqipërisë duhet të udhëhiqen nga racionaliteti, maturia dhe vazhdimësia. Trajtimet emocionale, amatorizmi dhe etja për tu dukur janë të dëmshme për interesat e vendit", shkruan Basha në Facebook.

Reagimi i Bashës vjen kështu pak ditë pasi kryeministri i zgjedhur Edi Rama kreu në vendet fqinje, Turqi, Greqi e Itali.Rama gjatë vizitës në Turqi theksoi se ky vend është një partner strategjik për Shqipërinë, deklaratë që ngjalli shumë reagime në fushën e diplomacisë dhe atë politike.