GJIROKASTER, 7 korrik 2013 – Kandidati për kryetar të PD Lulzim Basha ka vijuar bashkëbisedimin dhe prezantimin e platformës së tij për këtë post me anëtarë të PD të rrethit të Gjirokastrës. Zoti Basha, duke evidentuar punën e jashtëzakonshme të PD, që çoi në transformim rrënjësor të Shqipërisë ka nënvizuar se është detyrë e çdo demokrati të bashkohet, për tu ringritur dhe fituar. 

Nisur dhe nga eksperienca personale e fitores në 2005, në 2009 dhe në 2011, zoti Basha tha se kur demokratët bashkohen s’ka forcë që t’i thyejë dhe këtë mision kandidati për kryetar të PD i ka vënë dhe vetes. 

"Në përvojën time si kandidat për deputet, si koordinator për qarkun e tretë më të madh të Shqipërisë për vitin 2009, si kandidati për Kryetarin e Bashkisë së Tiranës që garoi dhe mundi ish-shefin e opozitës dhe do ta mundim sërish së bashku ka një dhe vetëm një sekret, mobilizimi total i potencialit tonë, potenciali ynë i mobilizuar i tëri, nga anëtari më i vjetër historik deri tek anëtari më i ri i Partisë Demokratike, i motivuar. Është një forcë që e kanë zili kundërshtarë tanë politikë, është një forcë e pathyeshme njerëzore, është forca ku ne do të mbështetemi për fitoren tonë të ardhshme, por që ta bëjmë këtë duhet të kthejmë kokën se çfarë nuk kemi bërë mirë, të bëjmë atë që s’e kemi bërë mirë dhe të përfitojmë nga përvojat më të të mira moderne të partive evropiane, për të ndërtuar instrumentin fitues të fushatës së ardhshme elektorale dhe kjo nis me përfshirjen dhe dëgjimin e çdo anëtari dhe militanti të Partisë Demokratike dhe këtë mund ta kishim bërë më mirë, mund ta kishim bërë shumë më mirë. Menjëherë dhe paralel me procesin e marrjes së përgjegjësive tona, e analizës tonë, e gjithëpërfshirjes së çdo anëtari të Partisë Demokratike në luftën opozitare dhe përpjekjen tonë për ringritje dhe fitore, ne duhet të nisim një front të gjerë bashkëpunimi me çdo qytetar shqiptarë që e ndjen sot dhe shumë më shumë që do ta ndjejnë nesër, se në fakt ne jemi opozita në krah të mazhorancës së qytetarëve shqiptarë dhe kjo mazhorancë shumë shpejt do të faktojë se është në opozitë të plotë me interesin publik dhe kombëtar të shqiptarëve". 

Zoti Basha, duke u ndalur tek deklaratat që vijnë nga mazhoranca e re e cila sipas tij vjen nga një votë e deformuar me mjete jo morale që përbën një rrezik të vërtetë për demokracinë ka garantuar se ai dhe çdo strukturë drejtuese e PD dhe grupit parlamentar do të jenë në mbrojtje të çdo punonjësi të administratës së këtij vendi i cili sot kërcënohet në mënyrë të jashtëligjshme, për tu larguar nga vendi i punës. 

“Çdo anëtar i shërbimit civil, të administratës publike, që preket nga arroganca, abuzivizmi dhe arbitrariteti i mazhorancës së ardhshme duhet dhe do të përballet me pikëpamjen time, me një forcë politike e cila jo vetëm ngre zërin, denoncon, evidenton por është gati në çdo moment me mjete juridike, politike dhe të gjithanshme, t’i paraqesë faturën financiare ligjore dhe politike për çdo veprim arbitrare në raport me administratën publike. Dhe ky është një zotim i imi, por është po kështu një domosdoshmëri e veprimit tonë të menjëhershëm politik”.