Kryedemokrati Lulzim Basha i është drejtuar anëtarëve të kryesisë gjatë mbledhjes së sotme, 5 ditë pas rikonfirmimit në krye të partisë.
Basha thotë se zgjedhjet në parti treguan vullnetin e demokratëve për të vazhduar betejën për ndryshim.
Sipas tij, vetë demokratët kanë kërkuar vazhdimin e betejës dhe ai paralajmëron se për këtë qëllim duhet përgatitje me të gjitha format e mjetet për këtë përballje.
“Është e domosdoshme që të gjithë ne, nga Kryesia te Këshilli kombëtar, të lexojmë qartë atë që ishte vullneti i demokratëve. Ata e dinë më mirë se ne se cfarë ka ndodhur në 25 prill, ata e dinë më mirë se ne se sa e vështirë është përballja me regjimin, ndaj çdo hap që do të bëjmë deri në përfundimin e analizës dhe mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, duhet të kemi parasysh që demokratët na kërkuan vazhdimin e betejës.”,- shprehet Basha.
Po ashtu lideri i demokratëve thekson se shqiptarët e demokratët nuk mund të presin deri në 2025, prandaj një orë e më parë duhet rrëzuar regjimi.
Dhe për të arritur këtë, detyra jonë është të përgatitemi me të gjitha format dhe mjetet për këtë përballje. Një përballje që kërkon që Partia Demokratike të jetë e gatshme për ta kryer detyrën e saj ndaj regjimit një orë e më parë, sepse Shqipëria, shqiptarët dhe demokratët nuk mund të presin deri në 2025,” tha Basha.





