Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka ndaluar sot në Kurbin, ndërsa ka publikuar edhe momentin e pritjes nga banorët e zonës.

Lideri demokrat e cilësoi një pritje të jashtëzakonshme, ndërsa tha se përballja  e opozitës me qeverinë nuk ka asnjë kthim pas deri  në përmbushjen e vlerave europiane.

Teksa ftoi qytetarët në protestën e së dielës , kryedemokrati tha se është ndezur shpresa e shqiptarëve nga veriu në jug të vendit.

“Me një vendosmëri të paparë të njerëzve në betejën për Shqipërinë e vlerave evropiane dhe çlirimin e vendit nga një njeri që e ka marrë peng dhe që  mundohet  të diktojë me kërbaç, me dhunë në kundërshtim me ligjin dhe me kushtetutën, kjo është përgjigja që merr nga shqiptarët”– tha Basha.

I rrethuar nga thirrjet “Rama Ik”, lideri i selisë blu tha se beteja dhe vendosmëria e shqiptarëve do të vijojë e përshkallëzuar deri në përmbushjen e vlerave qytetare, ku të gjithë qytetarët të ndihen të përfaqësuar pa dallim.