Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, gjatë një bashkëbisedimi me banorë të Manzës në Durrës ku u ndal këtë të diel, tha se Fatmir Xhafaj u largua nga detyra e tij i shkatërruar për t’i bërë bisht manipulimit të dosjes hetimore.
Sipas Bashës, Fatmir Xhafaj nuk pati guximin që të arrestonte kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako pas përgjimeve që doli ku bisedonte në telefon me anëtarë të familjes Avdyli në Shijak, që u arrestuan javën e kaluar.
“Prej ditës së parë në atë karrige kishte një merak, si të shpëtonte të vëllanë e dënuar për drogë. Fatmir Xhafaj është larguar i shkatërruar pa asnjë arsye. Keni dëgjuar ju të artikulojë pse u largua nga detyra e ministrit të Brendshëm?
E ka mbytur me terrin mediatik, me lloj-lloj justifikimesh e barsaletash. Fatmir Xhafaj është larguar nga frika e përballjes e hetimit e vartësve të tij, drejtorit të përgjithshëm Ardi Veliut dhe njerëzve të tjerë të përfshirë në manipulimin e dosjes hetimore. Fatmir Xhafaj është larguar pikërisht për t’i bërë bisht”, deklaroi kryedemokrati.





