Tiranë, 7 nëntor 2013- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka shprehur ngushëllimet dhe ka ndarë dhimbjen me familjarët e 7 personave që humbën jetën sot nga aksidentet në miniera.

"Dua të ndaj sot dhimbjen me familjarët, të afërmit dhe miqtë e 7 personave që humbën jetën në minierën e Beragozhdit në Pogradec dhe minierën e kromit në fshatin Gurrë të Librazhdit. Ende pa u nxjerrë trupat e 5 të rinjve nga miniera e Beragozhdit, u tronditëm nga lajmi i humbjes së jetës së dy personave në minierën e fshatit Gurrë.Dhimbja është e madhe dhe fjalët të pamjaftueshme, për të ngushëlluar familjet e Edisonit, Ledjonit, Nertilit, Sazanit dhe Arjan Hamollit si dhe të inxhinier Drini Bogdanit dhe minatorit Haki Danga.Bilanci tragjik i shënuar sot në komunën Dardhas të Pogradecit dhe Komunën Qukës të Librazhdit, është një tronditje e madhe për mua dhe jam i bindur për çdo shqiptarë. Ngushëllime familjeve dhe Zoti ua lehtësoftë dhimbjen".