Në fund të fjalimeve të protestuesve, nga podiumi i improvizuar gjithë të pranishmëve dhe mbarë shqiptarëve u është drejtuar kryedemokrati Lulzim Basha.
Pasi ka përshendetur gjithë protestuesit që iu bashkuan kauzës së madhe të opozitës, Basha ka theksuar se kjo nuk është thjesht një protestë.
“Kurrë më parë nuk ka mbledhur Shqipëria kaq shumë shqiptarë në një vend të vetëm si sot. Kurrë më parë, nuk ka bekuar drita e perëndisë, një bashkim kaq të madh zemrash dhe vullnetesh si sot, ky është referendumi i shqiptarëve për republikën e re”- tha Basha.
Pjesë nga fjala e Bashës:
“Ju shoh e ju dëgjoj edhe ju atje në fund para heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu. Sic ju kam dëgjuar 85 ditë e 85 netë me rradhë që nga fillimi i lëvizjes sonë të madhe kombëtare, popullore e qytetare në bashkimin e 18 shkurtit. Sot jeni 3 herë më shumë, mbi 600 mijë shqiptarë në këtë shesh dhe miliona të tjerë në këtë referendum historik.
U bashkuan në këtë shesh për 85 ditë shqiptarë nga e gjithë Shqipëria, intelektualë, profesorë, artistë, gjimnazistë, punëdhënës e punëmarrës, dhe miq nga e gjithë bota që na qëndruan dhe na qëndrojnë në krahë në betejën tonë të pakthyeshme për betejën për demokraci të vërtetë.
Ajo që nisi si rruga e bashkimit, i vetmi shteg ku miliona shqiptarë të shqypur, të nëpërkëmbur, të dhunuar, të mashtruar, e të shpunësuar, ajo që nisi si shtegu i vetëm përpos dëshpërimit që kish kapluar të madh e të vogël, gegë e toskë, demokratë e socialistë, myslimanë e të krishterë, për shkak të qeverisjes dhe shtetit të dështuar e kriminal, që iu shkatërroi ekonominë, ju vrau vendet epunës, për rrugën e vetme të daljes nga gjendja e mjerë u kthye në motorin më të fuqishëm të shpresës që vrau frikën anembanë vendit, ngjalli kurajën në zemrat e cdo shqiptari….Për ta përmbysur republikën e vjetër dhe për të ngritur së bashku të renë, të vetmen republikë të qytetarëve shqiptarë.
Nuk e ka parë ballkani, Evropa, bota, ky nuk është thjesht dhe vetëm bashkimi kundër keqqeverisjes, marshimi kundër të keqes, kjo është shpallja e shpresës dhe besimit te vetja juaj, familjarët juaj dhe së bashku te Shqipëria jonë. Këtu keni ardhur, ripërtërtja e besimit të cdo shqiptari te vetja, familja, dhe njëri-tjetri, nuk ka njeri në tokë të na marrë këtë besim, shpresa dhe vendimi për Repubikën e re. Falë bashkimit, me ndihmën e Zotit asgjë nuk do të jetë më si më parë. Republika e vjetër sot shpallet objekt i arkivit të muzeut historik kombëtar, ne shqiptarët e bashkuar nuk e njohim e nuk do të njohim më republikën e vjetër të krimit dhe drogës”.





