Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha mbrëmë në emisionin “Zonë e Lirë” të Arian Çanit, se nuk do të bëjë koalicion me LSI-në përpara zgjedhjeve të ardhshme, që sipas tij, do të punojë që të jenë të parakohshme.
Basha tha se përshëndet qëndrimin e LSI-së për Reformën në Drejtësi, por theksoi se kjo nuk do të thotë se mes dy forcave politike do të ketë koalicion.
“Të thuash që reforma duhet bërë bashkarisht nuk do të thotë se do të bëjmë koalicion. Rama na akuzon si avokatë të LSI-së. Ne kërkojmë që edhe Rama dhe PS-ja të vijnë në qëndrimin e shprehur nga Meta dhe LSI-a për reformën në drejtësi”, deklaroi Basha.
Lideri i opozitës tha se Meta e ka bërë zgjedhjen e tij në qeveri me Ramën, dhe aleanca e vetme e PD-së do të jetë ajo me qytetarët.
“Për të hequr mendjen e njerëzve nga hallet e përditshme bëjnë çdo javë takime si telenovela e Bidait”, tha Basha.





