Kryedemokrati Lulzim Basha gjatë një konference për mediat me gazetarët tha se nuk i ka kërkuar dhe nuk do t'i kërkojë asgjë presidentit Ilir Meta.
"Unë nuk i kam kërkuar dhe nuk i kërkoj asgjë Presidentit të Republikës, sepse nuk besoj se zgjidhja e kësaj krize vjen përmes akteve të Presidentit të Republikës. Edi Rama ka faktuar se nuk do tia dijë për Kushtetutën, Gjykatat, drejtësinë dhe as për miqtë ndërkombëtarë. Sepse është njeri i kapur në krim dhe i kapur nga krimi. Ndaj e vetmja forcë që mund të ndalë rënien përfundimtare të kësaj shoqërie nën tiraninë e krimit dhe korrupsionit me në krye një ilegjitim si Edi Rama është forca e bashkuar. Kështu ka ndodhur kudo ku shoqëritë e civilizuara janë përballur me prova të tilla. Kështu do ndodh dhe këtu. Ndaj ftesa ime ndaj çdo qytetari është të heqë çdo iluzion se do të ketë një zgjidhje deus ex makina. Natyrisht dorën e Zotit e duam dhe i lutemi por siç thotë thënia e vjetër shqiptare duhet dhe dora e çdo shqiptari të ndershëm, të cilët në këto 4 muaj rikthyen kurajon shqiptare dhe do të jetë forca e papërballueshme dhe e pandalshme e kësaj bande kriminale që po shkon drejt grushtit të shtetit. Rruga për të shmangur konfrontimin total dhe popullor dhe për të mos lejuar drejtimin e një grushti shteti është e pandalshme."
"A do shkojë Basha tek presidenti për tu konsultuar?" Basha u përgjigj: "Nëse ftohem patjetër që do të shkoj."
"A do të ulet në tryezë me Ramën?" Kreu demokrat tha se "nuk ka asnjë ulje në tryezë me Edi Ramën sa kohë që ai është në krye të një qeverie ilegjitime."





