Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nuk do të takohet më përfaqësuesen e lartë të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, pasi ai ndodhet në Gjermani dhe vijon axhendën e tij të takimeve.
Partia Demokratike në takim me Mogherinin do të përfaqësohet nga nënkryetari Edi Paloka. Një ditë më parë kryetari i PD-së e përshëndeti nga Berlini rekomandimin e KE-së për Shqipërinë, ndërsa tha se nuk është momenti për të festuar, por për të punuar për ëndrrën evropiane të shqiptarëve.
Partia Demokratike, përmes një njoftimi për shtyp dërguar medieve, sqaron se kryeopozitari Basha kthehet pasdite nga Berlini, ku ka zhvilluar takime të shumta me parlamentarë dhe funksionarë të qeverisë gjermane, një seancë dëgjimore me deputetët e grupit më të madh parlamentar gjerman CDU/CSU, dhe me anëtarët të Komisionit për Çështjet Europiane dhe të Politikës së Jashtme.
Në këto takime kryetari i opozitës ka argumentuar pro hapjes së negociatave si një hap i rëndësishëm në vetvete për të forcuar demokracinë, shtetin ligjor dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit.





