TIRANE, 8 janar 2014-Lideri i opozitës, Lulzim Basha në një intervistë të dhënë dje për “Agon Channel” ka deklaruar mes të tjerash se procesi i zgjedhjeve të reja në parti ka për synim rikthimin sa më shpejt të PD-së në pushtet. Basha gjithashtu theksoi se paketa e re fiskale do te preke thelle xhepat dhe mirqenien e qytetareve.Sipas Bashes te rritesh taksat ne kohe krize eshte papergjegjshmeri e qeverise.

Intervista e plote

Çfarë po ndodh? Pati një rritje të karburanteve por duhet të pranojnë faktin që tregtarët e karburanteve janë shumë abuzivë, u vërtetua në disa media kjo?
Nuk mund të fshihet papërgjegjshmëria e paketës fiskale, që ne denoncuam që në fillim pas hedhjes së fajeve dikur tjetër. Abuziviteti me çmimet është një çështje e përhershme në treg, në fund të fundit tregu është ai që jep përgjigjet, pikërisht me masa të rrepta monitorimi, siç unë në Bashkinë e Tiranës kam filluar të bëj tashmë prej dy vitesh e gjysmë me Agjencinë e Mbrojtjes së Konsumatorit. Thelbi është i thjeshtë, politika fiskale të qeverisë, qeveria rriti taksën mbi karburantin dhe kjo në mënyrë të pashmangshme do të rriste çmimin e naftës dhe nafta është një produkt çmimi i së cilës ndikon në çmimin e çdo gjeje në jetën e njeriut, nga pelena e foshnjës deri tek supa e të moshuarit, nga buka e gojës deri te mallrat e luksit. 
Kryeminstri e sheh edhe si produkt luksi karburantin, madje sugjeron që qytetarët shqiptarë të fillojnë të lëvizin në këmbë. 
Tani mendoj se me këtë batutë të papërgjegjshme të kryeministrit, me këtë sens talljeje do të thoja janë marrë në mënyrë të plotë dhe efecientë mediat, dhe qytetarët besoj se e kanë të qartë se sa jo serioz është kryeministri kur flet për diçka që i prek kaq thellë xhepat e tyre në mirëqenien e tyre. Ajo që po ndodh këtë javë të parë të vitit dhe duhet pyetur çdo shqiptar, rritje e çmimeve, rritje e çmimeve e paprovokuar nga asgjë tjetër vetëm nga kjo paketë e papërgjegjshme fiskale që ka rritur në kohë krize taksat mbi disa prej mjeteve bazë të ekonomisë dhe në këtë mënyrë ta rritur çmimet, ka rritur koston e jetesës. 

Z.Rama u ka dhënë 95% të shqiptarëve në xhep falë taksës progresive … 
Ku janë provat? Çmimet po rriten, ka më pak para në qarkullim, ka më pak shanse për një vend të ri pune, ka frikë për vendet aktuale të punës, ka tkurrje të qarkullimit të lekut, ka tkurrje të fuqisë blerëse, këto janë të gjitha efektet që ne i numëruam një për një kur kundërshtuam paketën fiskale. 
E vërtetë është se taksa progresive u ka dhënë shqiptarëve të cilët nuk kanë të ardhura të larta më shumë para? 
Taksa progresive i ka hequr çdo shqiptari lekë nga xhepi. 
Mos e ekzagjeroni pak z.Basha kur thoni që do të kemi një skenar grek në Shqipëri? 
Nuk preferoj të bëj krahasime të tilla. 
Por unë si qytetare dua ta di për shembull çfarë pritet të ndodhë me financat shqiptare? 
Me këto që po ndodh sot, skenari grek do të ishte skenari më i mirë sepse skenari grek kishte me të vërtetë një spirale të rënies si rezultat i papërgjegjshmërisë, mungesës së transparencës dhe abuzivitetit, që janë tre tipare që ne i shohim qartësisht tek kjo mazhorancë me veprimet që ka ndërmarrë në këtë muaj, po kishte dhe krahun e Bashkimit Europain që u fut dhe hodhi jo lopata as karroca po vagonë me euro, miliarda pas miliarda eurosh për të shpëtuar ekonominë greke, në Shqipëri kjo nuk ka shans të ndodhi. Të gjitha këto të çojnë drejt një skenari shumë më të keq sesa të asaj që i referohemi ne si skenari grek. 
Do të ketë protesta popullore për këtë shkak? 
Shiko, protesta popullore është një mjet, çështja është fare e thjeshtë. Ne e pamë papërgjegjshmërinë qeverisë dhe po e shohim në disa drejtime. Bëmë mirë që sot ndalemi tek ekonomia, se mendoj se ky është fatkeqësisht lajmi i keq i fillimit të këtij i këtij viti. Kjo është njëra anë, ana tjetër është papërgjegjshmëria në çdo fushë tjetër. 
Dhe si do e denonconi ju këtë, me protesta popullore? 
Prandaj përmenda këtë të fundit, marrim armët kimike, gjithë bota e di që Edi Rama premtoi më 23 shtator se do merrte armët kimike të Sirisë në Shqipëri, por Edi Rama vendosi ta mbante këtë sekret ndaj popullit të vet dhe ndaj institucioneve të tjera të vendit duke përfshirë opozitën. U fut pra në mënyrë tërësisht të papërgjegjshme në një aventurë, dhe fundi i aventurës ishte akoma më i papërgjegjshëm. Qytetarët masivisht vendosën ta refuzojnë këtë akt dhe u bënë barrierë e pakapërcyeshme. 
Çfarë prisni, që qytetarët ta bëjnë vetë këtë gjë? Të ngrihen vetë në protesta popullore?
Ne i kemi bërë fare të qarta qëndrimet tona. Ne do vazhdojmë luftën tonë opozitare në parlament me çdo hapësirë tjetër institucionale dhe demokratike, duke përfshirë sheshet e Shqipërisë. 
Për PD-në brenda, reforma si do të bëhet? Dikush duhet të mbajë përgjegjësinë përveç ish-kryetarit? 
Po sigurisht PD do të mbajë përgjegjësinë në çdo nivel dhe për këtë do të ketë një proces të hapur dhe të vërtetë analize dhe refleksioni i cili do të nisë në nga niveli i bazës, i seksioneve, çdo seksion ka rezultatin e vet, do të marrë gjithë kohën e nevojshme, nuk ka rëndësi të bëhet një ditë më parë, rëndësi ka të bëhet sa më mirë, e gjithë koha që i duhet demokratëve shqiptarë do të jetë në dispozicionin e tyre dhe gjatë kësaj kohe ky proces hapje bashkimi dhe ribashkimi do t’i paraprijë procesit të analizës dhe refleksionit me anë të së cilës ne do të evidentojmë qartësisht arsyet objektive, përtej arsyeve subjektive, të rezultatit të 23 qershorit. 
Analizë që prek kryesinë e PD-së? 
Analizë që prek në thelb përgjegjësinë e çdo demokrati, nga niveli më bazë i çdo seksioni deri te niveli më i lartë që është kryetari aktual. 
Fokusohemi tek kryesia, aty janë njerëzit e pushtetshëm? 
Po natyrisht sipas përgjegjësive. Nuk do të ndalesha tek një strukturë e veçantë e PD, natyrisht pushteti është menaxhuar nga nivele të ndryshme, nga përfaqësues të ndryshë, një gjë është e sigurt që çdo nivel i përfaqësimit të PD-së do t’i nënshtrohet analizës, refleksionit dhe këndvështrimit vetëkritik, me anë të së cilës, ne do të dalim nga ky proces me evidencën e plotë të asaj që kemi bërë mirë, të asaj që nuk kemi bërë mirë dhe të asaj që mund të kishim bërë mirë dhe mbi këtë bazë mbi këtë refleksion do të ndjekim procesin e zgjedhjeve në parti, që do të evedentojë patjetër më të mirët për të vunë në krye të përpjekjes opozitare sot dhe për ta kthyer PD si forcë qeverisëse nesër. 
Të pakënaqurit? 
Nëse procesi përqëndrohet tek vlerat që duhet të prodhojë, dhe jo tek inatet personale nuk ka përse të ketë të pakënaqur dhe gjithë energjia e PD-së e imja si kryetar i saj dhe strukturave do të përqëndrohet kryesisht tek ky aspekt që asgjë të mos mbetet pa thënë por asgjë që nuk vlen. Që procesi të bëjë të mundur bashkimin dhe ribashkimin e të gjithë potencialeve të PD, të gjithë kontributeve të saj si dhe një hapje më të madhe dhe më energjike që ka njohur PD në këto 23 vite, dhe besoj se në këto shina do të prodhojë atë që presim dhe presin demokraktët anëmbanë, një PD të ringritur, të fuqizuar, dhe të gatshme për t’ju përgjigjur shpresave dhe pritshmërive të shqiptarëve për brezat e ardhshëm.