Në një deklaratë për mediat, kryetari i PD-së, Lulzim Basha duke u ndalur te çështja e Teatrit Kombëtar, i ka adresuar një mesazh Presidentit Ilir Meta, dy ditë para se të marrë vendimin e dekretimit ose jo të ligjit.
Basha u shpreh se dekretimi i këtij ligji në heshtje apo në mënyrë aktive, nuk është gjë tjetër veçse pjesmarrje në grushtshteti. Kreu i opozitës tha se nëse do të ndërtohen kullat atëherë me të ardhur në pushtet do të kalohet një ligj i posacëm për tu vënë minat kullave.
"Ne do të ndjekim institucionalisht të gjithë hapat ligjorë, por e rëndësishme është të theksoj se shkelja e parimeve bazë të shtetit, si kontratë bashkëjetese paqësore, si mekanizëm i zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve në shoqëri, është kaq totale dhe evidente në këtë ligj, saqë dekretimi i këtij ligji në heshtje apo në mënyrë aktive, nuk është gjë tjetër veçse pjesëmarrje në grushtshteti. Sepse sot merr teatrin, nesër vendos (më fal se po e personalizoj) që të gjithë njerëzit, asnjë kaçurels nuk mund të punësohet në sektorin publik, pasnesër vendos që vetëm bjondët mund të trashëgojnë pronën e prindërve. Çfarë i pengon? Askush nuk i pengon! Kjo është vija e kuqe. Nëse kjo 'vijë e kuqe' kapërcehet, ne jemi de facto në gjendjen 'luftë civile'. Nëse vihet dorë në Teatrin Kombëtar minat ruspat e presin çdo projekt korruptiv që do të ketë aty. Do kalohet ligj i posacëm për tu vënë minat kullave."





