Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, të mbajnë duart larg Albert Veliut, dëshmitari X, pjesë në audiopërgjimin me Agron Xhafajn.
Basha dha paralajmërimin e fortë për Ramën e Xhafaj se nëse kërcënohet familja e Veliut do të marrin përgjigjen më të fortë nga opozita.
"Ja pse shteti i Ramës dhe Xhafajt është vërsulur për të kapur dëshmitarin Albert Veliu, kanë ushtruar terror për 72 orë mbi gruan e fëmijët e tij. Ja pse Fatmir Xhafaj nuk largohet nga posti. Largimi me urgjencë i Agron Xhafajt, terrori ndaj dëshmitarit, dhe aktiviteti për të prishur provat do ishte i pamundur nëse Xhafaj nuk do ishte ministër i Brendshëm. Është aty për të garantuar zbatimin e këtij skenari kriminal. Për çdo hap që do ndërmarrë për të vënë në profesion Albert Veliun do të marrë përgjigjen më të ashpër nga PD, opozita dhe populli. I paralajmëroj të dy Ramën dhe Xhafajn para gjithë botës: Larg duart nga dëshmitari Albert Veliu."





