Ajo që nisi në Kukës nuk do të ndalet derisa tirania e krimit të rrëzohet, ka deklaruar kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha nga Shkodra ku përkujtoi ngjarjen e 2 prillit 1991, kur mbetën të vrarë 4 dëshmorët e demokracisë.
“Ky është muaji ku maska e Edi Ramës ka rënë te shqiptarët. Këto janë aktet e fundit të një grabitqari e mashtruesi pasi vjedh përbuz e tallet me popullin e tij. Unë i them sot nga Shkodra, se i ka bërë hesapet gabim, i them sot nga Shkodra se ajo që nisi në Kukës, nuk do të ndalet dhe nuk ka për të ndaluar derisa tirania e krimit të rrëzohet. Populli i Kukësit i dha përgjigjen e merituar, ai ishte reagimi i njerëzve që nuk munden më të pranojnë taksat e rritura, kërbaçin dhe haraçin e Edi Ramës dhe një grushti njerëzish që pasurohen mbi gjakun e tyre. Le të jetë ky një fillim i mbarë iu pranverës që po vjen. Detyra e madhe e PD-së dhe gjithë njerëzve të thjeshtë e të ndershëm është të shkëpusim njëherë e mirë lidhjet e politikës me krimin. Zotohem se që nga kryeministri deri te punonjësi i thjeshtë i adminsitratës do të japë llogari. Të zotohemi të çlirojmë ekonominë”, tha Basha.





