Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është paraqitur sot në Prokurorinë e Tiranës, lidhur me kontratat e lobimit të Partisë Demokratike në SHBA para dhe gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 2017-s.
Basha refuzoi thirrjen e parë të prokurorisë pas ardhjes së letërporosive nga SHBA.
Ndërkohë në prokurori është thirrur edhe ish-sekretari i PD-së, Arben Risani, por edhe sekretari aktual, Gazmend Bardhi.
Prokuroria nisi verifikimet për kontratën e lobimit të PD-së me disa kompani amerikane në nëntor të vitit 2017.
Objekt i këtij verifikimi është sqarimi i burimit të financimit për këto kontrata dhe skanimi i tyre për të parë nëse transaksionet kanë qenë të rregullta ligjërisht.
Kontrata e parë e lobimit ishte ajo mes PD-së dhe 'Stonington Strategies' me vlerë 25 mijë USD në muaj. Afati i kontratës ishte tre mujor dhe qëllimi i saj ishte 'projektimi dhe implementimi' i fushatës së PD-së.
Qëllimi i saj ishte promovimi i qëllimeve të PD-së në media dhe pranë figurave politike në SHBA.
Më pas PD bëri edhe një pagesë shtesë prej 500 mijë USD për sigurimin e disa takimeve ose pjesëmarrje në evente në Uashington D.C.





