6nëntor 2015 – Për kryetarin e opozitës janë dy shtete që po i detyrojnë qytetarët të lënë masivisht vendet e tyre. “Shteti genocidal i Asadit, bën që sirianët të ikin. Dhe shteti i krimit dhe korrupsionit të Edi Ramës bën që fill pas sirianëve, shqiptarët të jenë të dytët që braktisin vendin”, deklaron kreu i PD-së, Lulzim Basha.

“Kjo është protestë ndaj këtij shteti kriminal dhe të korruptuar që ka sjellë mjerim, padrejtësi dhe depresion. Por unë ju bëj thirrje ta marrim vetë në dorën fatin e vendit. Mund ta ndërtojmë jetën e të ardhmen në Shqipëri, por duhet të bashkohemi për të larguar regjimin më të korruptuar në Ballkan. Të bashkohemi për t’i dhënë Shqipërisë një ekonomi të fortë dhe një të ardhme të sigurt, me drejtësi dhe mundësi për të gjithë”, kërkon Basha.

Ndërkohë që opozita po e sulmon Ramën për situatën e krijuar në vend, kryeministri zhvilloi një takim me ministrin e Brendshëm gjerman. Rama i tha ministrit se, qeveria shqiptare mbështet vendet e BE-së në lidhje me çështjen e emigracionit, por pa u ndalur te çështja e azilkërkuesve shqiptarë.

/portali DurresLajm/