Kreu i PD, Lulzim Basha është takuar me demokratët në Tepelenë, Gjirokastër dhe Përmet ku ka folur për zgjedhjet e 25 prillit dhe vazhdimësinë e betejës.
Gjatë fjalimit para demokratëve të Gjirokastrës, Lulzim Basha tha se Partia Socialiste nuk i trajtoi si rivalë në garë në zgjedhjet e 25 Prillit, por si armiq duke dhunuar ligjin dhe duke bërë “masakër elektorale”.
“Ju e dini fare mirë se çfarë ka ndodhur në këtë proces. Ju nuk jeni thjesht dëshmitarë, ju jeni faktori i përballjes, shënjestra e padenjë dhe e poshtër e një kundërshtari politik që nuk na trajtoi dhe nuk ju trajtoi si kundërshtar, por si armiq. Me poshtërsinë më të madhe dhunoi jo vetëm ligjin, por përdori dhunën, shantazhin, largimet nga puna, gjobën, ndalimet e paligjshme në mënyrë masive ndaj aktivistëve dhe anëtarëve tanë në këtë fushatë. Pra, një masakër zgjedhore e padiskutueshme, një padrejtësi kombëtare jo ndaj nesh që ishim dhe mbetemi vektori për ndryshim, mjeti i ndryshimit, por ndaj atyre që e donin ndryshimin dhe që më 25 prill jo vetëm nuk ju dha asnjë përgjigje, por përkundrazi, hallet, problemet e tyre u rënduan dhe më shumë. Dilemat e Shqipërisë u shtuan dhe më shumë, që nga dilema e fermerit dhe blektorit më të largët e deri tek dilemat dhe pikëpyetjet për rrugën e ashpër të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Gjithçka u rëndua dhe u përkeqësua më 25 prill, në vend që të përmirësohej. Dhe pavarësisht kësaj përballjeje, një aritje të madhe ne mund të themi që e kemi: dolëm nga kjo garë e pabarabartë, nga kjo betejë e pabarabartë dhe nga kjo masakër zgjedhore më të fortë dhe më të mëdhenj se sa ç’ishim”.
Basha ka folur edhe për procesin e zgjedhjeve brenda PD-së, kur tha se mes demokratëve ka pikëpamje të ndryshme, por tha se diskutimet janë normale.
“Pavarësisht prej pakënaqësive apo pikëpamjeve të ndryshme, mosmarëveshjeve që ne mund të kemi sikundër është normale një familje, emër e një partie të gjallë e të madhe, siç është Partia Demokratike, jemi ne që morëm përgjegjësinë para shqiptarëve për ndryshim, jemi ne që e mbajmë akoma këtë përgjegjësi mbi supet tona. Sepse nëse pranojmë, e s’ka se si mos të pranojmë që 25 prilli jo vetëm nuk zgjidhi asnjë prej problemeve të tyre, atëherë nuk kemi se si mos të arrijmë në konkluzionin logjik që ata që e deshën ndryshimin më 25 prill. E duan akoma, madje e duan akoma më shumë sot. Ne kishim vetëm një kauzë, kauzë morale, ne kishim programin, ne kishim zgjidhjet e konsultuara prej dy vjetësh me njerëzit. Gjë tjetër nuk kishim. Dhe prandaj na ndoqën sepse bashkuam një ditë fuqinë e Partisë Demokratike për të qëndruar kauzën e vetme dhe vizionin për ta nxjerrë vendin nga e keqja. Unë nuk shoh asnje çelës tjetër të paktën që pavarësisht masakrës zgjedhore kemi dalë më të mëdhenj dhe më të fortë. Natyrisht kjo është një meritë e cila nuk i takon thjeshtë kësaj beteje, sepse këtu njerëzit, ka luftëtar të vjetër që e dinë që nuk e kemi matur me sa herë punuam e sa fort u ringritëm dhe si kemi arritur të frymëzojmë qytetarët për të vazhduar së bashku deri në fitore. Zemra po dhemb, dhe unë ndjej zemërim për padrejtësinë e 25 prillit dhe produkti pa produkt por zemra ka dhe forcë , ka dhe një motorr, për ta kthyer atë zemëratë, në një energji dobitëse për të vazhduar betejën deri në fund. Dhe unë kam ardhur këtu sot t’ju kërkoj që të dalim jo vetëm të bashkuar por edhe të vendosur për vazhdimin e kësaj beteje. Sikundër ju kërkoj që të jeni bashkë me mua në vazhdimin e kësaj beteje e cila kërkon lidership të sprovuar dhe të vendosur. Kjo sigurisht është në dorën tuaj, por jam i bindur që betejat që kemi nisur do t’i çojmë deri në fund jo për veten tonë, as për karriget tona, por për të gjithë ata qytetarë të Gjirokastrës e të mbarë Shqipërisë”.





