TIRANË – Me një investim prej 9.4 milionë lekësh, Bashkia e Tiranës ka nisur punën për rikonstruksionin e rrugës “Islam Alla", në njësinë bashkiake nr. 10. Kjo rrugë me gjatësi 366 metra do të përfundojë brenda 4 muajsh.
Kryebashkiaku Basha i cili ka inspektuar punimet për këtë rrugë, ka bërë të ditur se kjo është një nga 5 rrugët që do të rikonstruktohen në njësinë bashkiake nr. 10 me buxhetin e vitit 2012.
“Rruga “Islam Alla” është një prej 5 rrugëve të njësisë bashkiake nr.10, që është zemra dhe për shumë edhe “zemreku” i Tiranës, një zonë nga e cila ka origjinuar i gjithë qyteti por që në fakt vuan prej kohësh harresën sa i përket infrastrukturës. Ju të gjithë jeni dëshmitarë që ne kemi nisur riparimin e disa prej këtyre rrugëve këtu, ku vëmendje e veçantë i kushtohet edhe rrjetit infrastrukturor nëntokësor, kanalizimeve të ujërave të zeza, të ujërave të bardha dhe të ujësjellësit. Kjo po ndodh me këtë rrugë këtu, rrugën “Islam Alla” por edhe me rrugët e tjera paralel, ku Bashkia po ndërhyn në mënyrë të menjëhershme dhe simultane, sipas vendimeve të Këshillit Bashkiak që në fakt reflektojnë prioritetet e qytetarëve të njësisë 10, kur votuan buxhetin e vitit 2012”, u shpreh Basha.
Njësia bashkiake nr.10 është një tjetër zonë e Tiranës, banorët e së cilës kanë qenë të diskriminuar për zhvillimin e pronës së tyre.
“Këto investime i paraprijnë zhvillimeve të tjera të kësaj zone, që parashikohen edhe në planin urbanistik. Në këtë kuadër, nëpërmjet çlirimit të kësaj zone nga paragjykimet dhe skemat ndaluese të zhvillimit, ne presim që banorët e vjetër dhe shpesh autoktonë, të përfitojnë nga koefiçentët e zhvillimit të pronës por siç e shikoni kjo nuk na ka penguar aspak që t’i japim përgjigje problemeve që ata kanë sot dhe që kanë të bëjnë me cilësinë e shërbimeve që Bashkia ofron, ujësjellës-kanalizimeve, me cilësinë e transportit” , theksoi kreu i Bashkisë së Tiranës.
Pavarësisht se njësia bashkiake nr. 10 shtrihet fare pak metra larg sheshit “Skënderbej”, infrastruktura e kësaj zone nuk është aspak më e mirë se ajo në zonat më periferike të kryeqytetit.
“Sikundër në periferi, edhe në qendër ne jemi të vendosur t’i japim fund harresës së komuniteteve të vjetra apo të reja dhe të përparojmë me buxhetin dhe zbatimin e buxhetit, sepse në fakt ky buxhet si dhe buxheti i vitit 2013 përfaqëson në mënyrën më të plotë dhe të kontrollueshme interesat e qytetarëve të Tiranës të cilët kanë qenë bashkëhartuesit e tij”, u shpreh Basha.





