TIRANE, 25 gusht 2013 – Kryetari i Partisë Demokratike, njëherësh kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha ka reaguar sot në lidhje me konferencën që pritet të organizojnë nesër Partia Socialiste, "Shqipëria e Gjeneratës Tjetër". 

Kjo konferencë që sipas kryeministrit të zgjedhur Edi Rama do fokusohet tek një kapitull i ri për territorin dhe ekonominë, për Bashën nuk është gjë tjetër, veçse ndarje e tortës në mënyrë okulte, sidomos e pjesëve të çmuara të vendit siç është bregdeti, shprehet Basha. 

“Kryesocialisti ka thirrur disa arkitekte të huaj me të cilët ka punuar e qarkulluar konkurse në Bashki dhe ka përjashtuar në bllok të gjithë ekspertët e mirëfilltë shqiptarë. Dhe ka dy ditë që punohet me dyer të mbyllura për çfarë mendon të bëjë në pjesët më të çmuara të vëndit. Sidomos bregdetit. Po ndahet torta në mënyrë okulte. Pushteti lokal është jashtë loje. Në rend të ditës grabitja e pronave të bregut dhe stimulimi i bizneseve të fshehta që financuan në fushatë”, shprehet Basha. 

Sipas Bashës, konferenca e nesërme është thjesht një fasadë, pasi sipas tij, pazaret tashmë janë bërë. 

“Po e bën këtë pa asnjë plan e proçes transparent. Konferenca nesër është vetëm fasadë. Pasi pazaret u bënë dje dhe sot. Por gjenerata e re e shqiptarëve nuk mund ta pranojë pazarin me të ardhmen në emër të interesave të së shkuarës”, përfundon komenti i tij në profilin e Facebook. 

Konferencën që pritet të nisë nesër kryeministri i ardhshëm Edi Rama e konsideron "Një kapitull i ri për territorin dhe ekonominë", me anë të një komenti në rrjetin social "Facebook". 

Rama bën me dije se për këtë arsye janë mbledhur arkitektë dhe planifikues me famë botërore të cilët po vizitojnë godina publike në Tiranë dhe jashtë saj. 

“Arkitektë e planifikues urbanë të shquar botërisht po zhvillojnë një vizitë studimore dy ditore në hapësira e godina publike në Tiranë e jashtë saj, përpara konferencës "Shqipëria e Gjeneratës Tjetër" që mbahet në hotel Sheraton nesër e pasnesër. Dita e parë do t'i kushtohet territorit dhe e dyta ekonomisë, ku do marrin pjesë ekonomistë, financierë, menaxherë të shquar me eksperiencë e njohje ndërkombëtare”, bën me dije Rama nëpërmjet një postimi në rrjetin social ‘Facebook”.