Tiranë, 22 qershor 2014 – Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha priti ish-Guvernatorin dhe ish Kryetarin e Partisë Demokratike të SHBA, Howard Dean, i cili shoqërohej nga Robert Benjamin, Drejtori Rajonal i Institutit Demokrat Amerikan (NDI) për Europën Lindore. Guvernatori Dean është njëkohësisht anëtar i Bordit të NDI.

Në takim u rikonfirmua angazhimi për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit të deritanishëm të suksesshëm midis Partisë Demokratike dhe Institutit Demokrat Amerikan.

Guvernatori Dean e vlerësoi si të rëndësishëm procesin e zgjedhjeve dhe riorganizimit të PD, si dhe rolin e saj si opozita demokratike në Shqipëri.

Kryetari Basha e njohu Guvernatorin Dean me zgjedhjet e reja në parti, të cilat bazohen tërësisht mbi parimet themelore demokratike të votës së lirë të anëtarëve të PD dhe promovimit të vlerave e kontributeve. Kryetari Basha u ndal në veçanti në entuziazmin e jashtezakonshëm që të rinjtë shqiptare kanë dëshmuar ndaj këtij procesi, për t’u anëtarësuar dhe për të dhënë  kontributin e tyre në Partinë Demokratikë, duke sjellë energji dhe frymëzime të reja në misionin dhe veprimtarinë e saj.

Në takim u diskutua edhe mbi situatën politike në vend. Kryetari Basha ndau shqetësimin  për vijimesinë e qendrimeve dhe akteve të qeverisë dhe mazhorancës në kundërshtim të plotë me Kushtetutën dhe shtetin ligjor, uzurpimin politik të institucioneve të pavarura dhe organeve të ruajtjes së rendit nga mazhoranca, zhbërjen e administratës profesionale publike dhe zëvëndësimin e saj me militantë partiake, presionin ndaj institucioneve të drejtësisë dhe zhytjen e ekonomisë dhe vendit në një situatë pasigurie juridike, çfare ka rezultuar me rritjen e paprecedentë të krimit dhe trafiqeve, dekurajimin e investitorëve potencialë prestigjiozë nga SHBA dhe vendet e BE-së.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/