Tiranë, 17 mars 2014 – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha sot se statusi i vendit kandidat është në udhëkryq, për shkak të papërgjegjshmërisë së shumicës Rama- Meta. Në mbledhjen e grupit parlamentarë të PD-së, Basha theksoi se mazhoranca në vend po sulmon institucionet e pavarura, duke vënë demokracinë në rrezik.

Qeveria Rama- Meta mbushi plot 6 muaj nga dita e instalimit të saj në pushtet. Nëse i referohemi perceptimit të qytetarëve 6 muaj, nuk janë pak për të pasur një bilanc konkret. Për këtë më shumë se opozita flet më shumë heshtja e qeverisë e shoqëruar me disa përpjekje të përçmueshme për të mbuluar sadopak me shoë mediatik mungesën e bilancit dhe dështimit. Asnjë qeveri nuk ka startuar me një dështim të këtyre përmasave në 23 vitet e fundit si qeveria e sotme Rama-Meta.”– tha ndër të tjera kreu i PD-së.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi se në 6 muajt e parë të qeverisë Rama – Meta, qytetarët nuk kanë parë ende asgjë të mirë. “Jeta e tyre është varfëruar, institucionet e pavarura janë nën sulm të përditshëm, nuk ka rend dhe siguri”, – tha Basha në mbledhjen e deputetëve demokratë. Sipas Bashës, ekonomia mezi po merr frymë nën peshën e taksave të çmendura, që vetëm marrëzia mund të vendosë taksa të tilla.

“Ekonomia që po mbytet nën klimën mbytëse të qeverisjes propagandistike pa vizion që prodhon vetëm papunësi masive, që mendon që qeverisja është task forcë dhe reklamë televizive. Rendi nuk është më zgjidhja për problemet e sigurisë por është vetë pasiguria. Statusi i vendit kandidat në Bashkimin Europian ndodhet në udhëkryq si vetë demokracia për shkak të papërgjegjshmërisë së kryeministrit dhe shumicës Rama-Meta”,-theksoi ai.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/