Kreu i PD-së Lulzim Basha, ka reaguar pas lëvizjeve të fundit në qeveri të ministrave Cani, Ahmetaj dhe Konomi. Basha deklaroi se Rama ka bërë kurban Shkëlqim Canin për të mbuluar vjedhjen e 400 milionë dollarëve në tatime dhe dogana, me caktimin e Arben Ahmetajt si ministër Financash.

“Rama konfirmoi se plaçkitja, zhvatja, mbushja e xhepave me paratë e shqiptarëve, janë standardet e tij të qeverisjes. Ahmetaj është ndër më të besuarit e bandës plaçkitëse të Edi Ramës. Ai ka feksur me landfillin e Elbasanit nga ku vidhen 10 mijë euro para publike në ditë, dhe ka shkëlqyer si ndërmjetësi i pazarit të fshehtë, të paligjshëm dhe korruptiv për mega-aferën Skavica”, tha Basha.

Kryedemokrati nuk la pa akuzuar edhe ministren e re të Ekonomisë Milva Konomin, që sipas tij gjithashtu është e përfshirë në skema vjedhjesh.

“Si zv.ministre e Shëndetësisë, zonja Konomi ka qenë një punëtore e palodhur në këtë skemë të madhe zhvatjeje. Për këtë kontribut ajo shpërblehet nga Rama duke u emëruar ministre e Ekonomisë.

Mesazhi i Ramës është i qartë. Vidh, bëhesh deputet dhe ministër. Vidh më shumë, Edi Rama të beson financat, të beson ekonominë e vendit”, u shpreh Basha.