Tiranë, 5 maj 2014 – Në mbledhjen e përjavshme të grupit parlamentar të PD-së, kryetari Lulzim Basha akuzoi koalicionin qeverisës për propagandë televizive, në një kohë kur sipas tij, vendi po përballet me përkeqësimin e ekonomisë dhe situatën e vështirë të rendit dhe sigurisë. 

Sipas kreut të opozitës, “oligarkia Rama-Meta u ka hyrë në hak shqiptarëve me premtimet boshe të fushatës, ndërsa tani po rreket t’i gënjejë sërish me propagandën gënjeshtare. Prandaj kryeministri dhe ministrat dalin nëpër shfaqje televizive, por nuk mund te shesin sapunin për djathë”

Duke iu referuar nivelit të papunësisë në vend, Basha tha se rënia e të ardhurave nga sigurimet shoqërore tregon se shqiptarët kanë mbetur të papunë. 

“Tallen me të papunët duke çelur një panair të punësimit virtual, teatral, për shoë, propagandë. Kanë ngecur keq në premtimin-mashtrim të tyre të hapjes së 300 mijë vendeve të punës. Kanë filluar të sajojnë shifra të gënjejnë. Rënia drastike e të ardhurave nga sigurimet shoqërore është pasqyra e shpunësimit të shqiptarëve e daljes së tyre në rrugë.”– u shpreh Basha. 

Kreu i PD-se, Lulzim Basha theksoi gjatë mbledhjes se ngritja dhe fillimi nga puna i Komisionit Hetimor për hetimin e trafikut të drogës është emergjencë.

“Ne vijmë nga qeverisja, e dimë që sikudo në botë ka ekzistuar lufta e policisë, shtetit me krimin e organizuar, trafiqet dhe narkotrafikun. Në periudha të caktuara vendi ka bërë progres, ne e dimë se krimi kërkon shtigje të reja veprimi dhe lufta me të është e vazhdueshme, por kurrë nuk ka ndodhur që Adriatiku të shndërrohet bazë droge me destinacion Italinë, kurrë s’ka ndodhur që vendi të shfaqet në radarët e partnerëve tanë si kartel i drogës, ku nuk dallohet ku fillon karteli e mbaron qeverisja”,- tha Basha.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/