Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kreu i demokratëve Lulzim Basha ka ftuar publikisht kryeministrin Edi Rama, që të ulen dhe të punojnë sëbashku, për arritjen e konsensusit për reformën në drejtësi. “Prej më shumë se katër muaj, pengesa për reformën në drejtësi e ka emrin Edi Rama, – tha Basha. – Njeri i investuar personalisht kundër konsensusit.”
“Dikur kur e thonim këtë, ndokush edhe na paragjykonte, – vijoi më tek kryetari i Partisë Demokratike. – Por sot, nuk është vetëm opozita që e thotë këtë. Është Komisioni i Venecias. Ja kam ofruar e vazhdoj t’ia ofroj. Jemi në situatë absurde kur opozita ofron bashkëpunim dhe kryeministri e refuzon atë… Shpëtimi nuk mund të jetë keqpërdorimi i reformës në drejtësi. Kjo reformë do të kryhet.”