Vendimin e qeverisë për të indeksuar me 1.6 për qind pensionistët, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e quan një tallje të rëndë.

Lideri i opozitës tha se me këtë vendim, 635 000 pensionistë në vend arrijnë të marrin vetëm një bukë e 100 gramë djathë. Basha deklaroi se asnjë vendim i tillë qesharak nuk e shpëton Edi Ramën nga pensioni politik.

“Tallje me 635 000 pensionistë, sepse sipas llogarisë për ata në zonat urbane, Edi Rama ka shtuar diku 2300 lekë të vjetër në muaj, ndërsa për ata në fshat 1300 lekë në muaj.

Pra një bukë e 100 gramë djathë në muaj është bujaria e Edi Ramës, ndërkohë që çmimet sipas INSTAT-it qeveritar janë rritur me 4.8% për arsimin, me 16.3% për frutat, dhe 7.1% për zarzavatet. Ky indeksim është një turp i qeverisë në ikje, një masë e pritur me përbuzje.

Çfarë të paguajnë më parë pensionistët me këtë rritje? Çmimin e rritur të energjisë elektrike, të urbanit, apo të barnave skarco të Beqes? Asnjë vendim i tillë qesharak nuk e shpëton Edi Ramën nga pensioni i afërt politik”, deklaroi Basha.