Si asnjëherë më parë, kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka mbajtur një fjalim të ashpër në parlament, ku ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe drejtorit të policisë së Shtetit, Haki Çako.
Duke reaguar për ngjarjen e rëndë në Elbasan, Basha i ka kërkuar kreut të Qeverisë Edi Rama që të bëjë publike listën e të gjithë personave në administratë që po kërkohen nga INTERPOL-i, dhe i bëri thirrje që të marrë masa të menjëhershme duke i vënë në pranga.
“Bëj publike listën e gjithë personave në administratë që kërkohen nga INTERPOL-i dhe kërko arrestimin e tyre. Por këto ti nuk do t'i bësh dhe as nuk ke ndërmend t'i bësh”, tha Basha.
Një komisar i policisë është vënë në pranga pasi kërkohej prej disa vitesh, dhe ishte dënuar me 10 vite burg për vjedhje dhe falsifikim.
Por edhe pse ai ishte dënuar që në vitin 2013, ai deri pak kohësh ka mbajtur disa poste të larta në Policinë e Shtetit, për t'u vënë në pranga një javë më parë.
Ndërsa, po ashtu Basha i ka bërë thirrje Ramës, që në mënyrë të menjëhershme të shkarkojë kreun e Kuvendit Gramoz Ruçin, ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafajn dhe kreun e Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdinit.
“Të kërkoj ty sot Edi Rama ta nisësh luftën kundër krimit duke marrë disa masa të thjeshta, por qe kane domethënie te madhe. Largo Gramoz Rucin dhe Fatmir Xhafën, kërko menjëherë shkarkimin e Qazim Sejdinit.”, -tha Basha.





