Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar pasi kryeministri Edi Rama tha sot në Kuvend se vendi ynë i ka plotësuar kushtet, por BE nuk është gati të hapë negociatat me Shqipërinë.
Në një dalje për media, Basha tha se fajtori kryesor për dështimin e radhës të integrimit të Shqipërisë është vetë Edi Rama, i cili sipas tij, nuk merr përgjegjësi për drogën, krimin, blerjen e votave, etj..
DEKLARATA E BASHËS
Me mënyrën si Rama po mbyll dhe rrezikon rrugën shqiptare të BE shpejt do vijë kur do tregojë me gisht fajtorët, që do të jetë çdokush, opozita, mediat, evropianët, dhe i vetmi që s’do ketë asnjë faj do jetë vetvetja. Është bërë kaq i parashikueshëm, sa fjalimin që ja parashikova para dy muajsh, sapo e mbajti në Parlament. Fajin për dështimin e hapjes së negociatave e ka Rama. Është ky njeri në pushtet prej 6 vitesh, dhe dështimi ka vetëm vulën e tij. Premtoi se do hapë negociatat, por dështoi, siç ka dështuar në çdo premtim tjetër. Ky është dështimi më i fundit në kaosin, ku e ka futur vendin.
Për këtë arsye, Shqipëria është në krizë, shqiptarët po largohen nga vendi, ekonomia është në kolaps, ndërsa kushtet për Shqipërinë shtohen, ndërkohë që vendet e tjera të rajonit ecin përpara. Nëse do të ishte i vërtetë mashtrimi, që këto vende do të ishin kundër integrimit, pse ata i thonë “PO” Maqedonisë dhe “JO” Shqipërisë. Arsyeja është se Rama ka dështuar në të gjitha fushat, ku Shqipërisë i është kërkuar progres. Edhe sot i iku përgjegjësisë për krimin, drogën, blerjen e votave, për mbrojtjen e kriminelëve nga Pjetri te Kajmaku, duke i ikur përgjegjësisë për mbrojtjen që ju bën personave në listën e zezë të SHBA, si Tom Doshi. Rama jo thjesht mundohet të heqë fajin, por fakton para shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve se ai nuk e do integrimin evropian.
Cili nga nëntë kushtet reflekton probleme imagjinare të politikës së brendshme gjermane? Cili nga dy kushtet e reja, arrestimi dhe procedimi i personave të kapur duke vjedhur votat, është përgjegjësi e politikës gjermane? Është një përpjekje e varfër, e shteruar, e dalë boje, për ta hedhur fajin diku gjetkë, siç bën Rama gjithmonë, kur kapet me presh në duar. Ky nuk është momenti më për të vazhduar këtë lojë 6-vjeçare, kur përgjegjësi është vetëm Edi Rama.





