Nga qyteti i Fierit, kryedemokrati Lulzim Basha ka thënë se kryeministrit Edi Rama i kanë rënë të gjitha alibitë dhe çdokush e ka të qartë se pushteti i tij nuk buroi nga vota e qytetarëve, por nga bashkëpunimi me oligarkinë.
Basha tha se është përgjegjësi e PD t’i udhëheqë shqiptarët për realizimin e projektit që transformon vendin nga një vend bazë operacionale për krimin e organizuar, siç e quan Departamenti i Shtetit, në një vend që siguron mundësi dhe mirëqenie për qytetarët e saj.
Lideri i opozitës vuri në dukje se për shkak të bashkëpunimit me krimin, qeveria i ka mbyllur Shqipërisë derën e Europës për 6 vjet me rradhë, duke u kthyer në kërcënimin më të madh për shqiptarët.
"Stabiliteti në Shqipëri është kërcënuar nga krimi i organizuar, në partneritet me qeverinë, ndaj e vetmja rrugë për të rithemeluar stabilitetin afatgjatë të këtij vendi është ajo që kalon përmes demokracisë së vërtetë, zgjedhjeve vërtetë të lira e të ndershme dhe drejtësisë së vërtetë, që nuk i mbron, por i ndëshkon politikanët e korruptuar e të lidhur me krimin, me kriminelët bashkëpunëtorë të tyre. Prandaj beteja jonë është e vetmja betejë për stabilitet të vërtetë dhe është një leksion për popujt e tjerë të Ballkanit, se ky vend edhe njëherë, do t’i prijë integrimit evropian të të gjithë Ballkanit Perëndimor, duke pranuar, imponuar dhe zbatuar asgjë më pak se standartet evropiane për qytetarët tanë dhe vendin tonë."





