DURRËS, 9 tetor 2014– Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, fill pas prezantimit të progres-raportit për Shqipërinë, ka deklaruar se opozita do të kthehet në Parlament nëse kryeministri Edi Rama do të reflektojë lidhur me qëndrimet e qeverisë ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe për denoncimet e bëra vazhdimisht nga PD për të inkriminuarit në Parlament. Në këtë mënyrë, Basha i përgjigjet edhe deklaratës së bërë më herët gjatë ditës së djeshme nga kryeministri Rama, se nuk e di se çfarë kërkon opozita. Kreu i PD tha se progres-raporti thekson rëndësinë e dialogut politik, duke u shprehur se integrimi evropian kërkon bashkëpunim me opozitën.   “Raporti thotë se duhet një qasje gjithëpërfshirëse për reformën në drejtësi. Në Bruksel shkohet me opozitën, jo kundër saj. Duam ndarje dhe balancim të pushteteve dhe jo kapje të institucioneve. Kërkohen liri dhe të drejta dhe jo nëpërkëmbje të tyre. Kërkohet liri e medias dhe e shoqërisë civile, po kështu kërkohen edhe zgjedhje të lira. Duhet të zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese, dhe të reagohet për të inkriminuarit në Parlament”, tha Basha.   Më tej, Basha ka akuzuar kryeministrin Rama për kapje të pushteteve të tjera.   “Dhe ne duam që elitat politike të jenë të painkriminuara, të kenë sjellje politike të qytetëruar dhe brenda ligjit. Sepse duam dhe kemi nevojë për një shtet ligjor ku të gjithë janë të barabartë përpara ligjit dhe ku ligji dhe Kushtetuta zbatohen njësoj për të gjithë dhe nuk shkelen në radhë të parë nga qeveria dhe parlamenti. Ne duam ndarje dhe balancim të pushteteve dhe jo kapje dhe nënshtrim të tyre. Konsensus dhe gjithëpërfshirje në çështjet thelbësore të ndërtimit të shtetit, as më pak as më shumë, përsërit Bashkimi Europian. Liri ekonomike dhe respektim të të drejtave të njeriut e jo nëpërkëmbje të tyre. Liri të medias, shoqërisë civile dhe zgjedhje të lira e të ndershme dhe jo me modelin famëkeq të shitblerjes së votës që të gjithë shqiptarët e panë, siç ndodhi në Korçë”, tha ai. 

/Sot News/