Tirane, 26 korrik 2013- Në një prononcim për mediat, gjatë inaugurimit të rrugës "Gramoz Pashko" në kryeqytet, kreu i Bashkisë së Tiranës dhe njëkohësisht edhe kryetari i PD, Lulzim Basha, i ka cilësuar si të rrezikshme deklaratat e kryesocialistit Rama, për një formulë të re menaxhimi për INSTAT. Ndër të tjera, ai nënvizoi se Rama kërkon të zhdukë zërat e të vërtetës, kjo me qëllim fshehjen e dështimeve, për mosmbajtjen e premtimeve piramidale.“Qëndrimi i djeshëm i kryesocialistit, dëshmon një mendësi të vjetër anti-shtet dhe është një propozim për të zhdukur dhe eliminuar një zë të fuqishëm të së vërtetës që është INSTAT, që opozita e djeshme e ka përdorur sa herë i ka shkuar për shtat.Projekt i rrezikshëm antishtet, me qëllim manipulimin e të vërtetës, duke vërtetuar se premtimet piramidale të 23 Qershorit që ishin skema e mashtrimit po sjellin kosto pas kostos dhe pjesë e kësaj është tentativa për të manipuluar të vërtetat për fshehjen e dështimeve dhe mosmbajtjen e premtimeve piramidale. PD do mbrojë INSTAT, si zë i besueshëm dhe në mbrojtjen e të vërtetës si është, demaskimin e përpjekjes pa u instaluar në pushtet” , tha Basha.Deklaratat e Patozit, Basha: Janë shprehur 41 mijë anëtarë të PDSakaq, edhe deklaratat e Astrit Patozit, se gara për kreun e PD ishte e parapërcaktuar nuk kanë rënë në vesh të shurdhët, pasi Basha deklaroi se ka dëgjuar vullnetin e 41 mijë anëtarëve.“Në PD çdokush thotë atë që mendon, apo atë që do të thotë, kjo vlen për këdo, jemi parti e njerëzve të lirë dhe e lirisë së shprehjes së mendimit.Mbi 41 mijë anëtarë janë shprehur qartë dhe duke dëgjuar vullnetin e tyre është detyra ime dhe e gjithkujt të angazhohemi për një përballje të fortë me sfidat që na presin dhe kthimin e tyre, në mundësi dhe shpresë për shqiptarët dhe për Partinë Demokratike”, tha më tej ai.
(Sot News )





