Kryedemokrati Lulzim Basha thotë se opozita është në një betejë për jetë a vdekje për demokracinë, teksa ka insistuar sërish për largimin e Kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore.
Duke folur për gazetarët jashtë selisë blu, Basha theksoi se koalicioni opozitar është në sinergji të plotë për të hyrë në zgjedhje me kushtin kur të përmbushen kriteret për zgjedhje të lira. Kreu i PD-së theksoi se ditët në vijim do të bëhet publik dokumenti i nënshkruar javën e kaluar nga koalicioni opozitar me detyrat e përcaktuara për qeverinë tranzitore.
“Jemi sot në një betejë për jetë a vdekje për demokracinë, por kjo nuk e pengon Partinë Demokratike të përgatitet për përgjegjësitë që ka përpara qytetarëve shqiptarë jo vetëm për sot, por edhe për të ardhmen. Japim garanci të fortë që qeverisja jonë nesër do t’i shërbejë qytetarëve. Partia Demokratike ka përfunduar javën e kaluar një dokument sa i përket detyrave të një qeverie tranzitore. Ka një përputhje totale, ndaj koalicioni opozitar po vepron në sinergji të plotë. Kryesorja është kjo: Zotimi i koalicioni opozitar është regjistrimi në zgjedhje vetëm kur të ketë me të vërtetë zgjedhje dhe kusht i padiskutueshëm mbetet largimi i Edi Ramës dhe një qeveri tranzitore”, tha Lulzim Basha.





