23 janar 2014 – Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha priti sot në një takim Kreun e Delegacionit të BE-së në Tiranë, Ambasadorin Ettore Sequi, me të cilin diskutoi zhvillimet e fundit politike në vend. Kryetari i Basha i shprehu ambasadorit të BE-së shqetësimin për rritjen e pasigurisë publike në vend, si rrjedhojë e shtimit të kriminalitetit, rënies së indikatorëve të punës së policisë, si pasojë e zëvendësimit të profesionistëve me militantë e shkrirjes së strukturave të veçanta të policisë së shtetit.
Basha e informoi Sequi për qëndrimin e opozitës në lidhje me reformën administrative, duke theksuar se konsensusi në cdo etapë të procesit, dhe vecanërisht rikthimi i konsensusit të shkelur në mënyrë të përsëritur nga mazhoranca, janë të domodoshme për një reformë eficente, të pranueshme dhe të qëndrueshme. Duhen dëshmi e prova të besueshmërisë, tha Basha, duke i kujtuar z.Sequi rastet kur mazhoranca e sotme është angazhuar në letër për konsensus, dhe më pas e ka shkelur atë, si në rastin e shtyrjes së zbatimit të ligjit të statusit në nëpunësit civil, apo sulmit ndaj institucioneve të pavarura kushtetuese, si AMA e ILDKP, për cka shumica ishte zotuar të respektonte mandatin dhe autononominë e këtyre institucioneve në rezolutën e përbashkët për integrimin europian dhe në deklaratën e përbashkët të komitetit parlamentar të stabilizim-asociimit.
Z.Basha u ndal edhe tek presioni politik i mazhorancës ndaj institucioneve të drejtësisë, dhe tek qëndrimi antikushtetues i mosrespektimit të vendimit të gjykatave, sic është rasti kur qeveria nuk zbaton vendimin për kthimin në detyrë të drejtoreshës së INSTAT, pasi Gjykata e Tiranës e shpalli të paligjshëm vendimin e kryeministrit për shkarkimin e saj. Kryetari i Partisë Demokratike e njohu ambasadorin Sequi për revanshin e paprecedentë ndaj administratës publike dhe për politizimin e saj me emërimin e militantëve partiakë në cdo zyrë, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e ka shpallur antikushtetues e për rrjedhoje pa asnjë fuqi juridike, aktin normativ të qeverisë për shtyrjen e zbatimit të ligjit të nëpunësit civil. Ndërkohë, theksoi Basha, qeveria në vend që të adresojë prioritetet dhe reformat e rëndësishme që kërkon procesi i integrimit, i është përkushtuar me zell axhendës së saj antiligjore e antikushtetuese, që është larg interesave të qytetarëve dhe larg prioriteteteve që kërkon integrimi europian. Kryetari Basha siguroi z.Sequi se pavarësisht kësaj mësymje antidemokratike të qeverisë ndaj Kushtetutës, ligjit, shtetit të së drejtës dhe parimeve të konsensusit, Partia Demokratike dhe opozita shqiptare vijon të mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj për mbështetje pa kushte të të gjitha hapave dhe reformave madhore të procesit të integrimit.





