Tiranë, 4 shtator 2014 –  Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka ftuar në debat kreun e qeverisë Edi Rama duke e akuzuar për bllokimin, që sipas tij, kryeministri i ka bërë projekteve dhe punës së bashkisë në këtë vit të qeverisjes së majtë.

“Edi Rama thotë ‘nuk i bllokoj unë’. Unë e sfidoj të dalë përballë qytetarëve, të flasë me fakte dhe dokumente, të cilat provojnë pa asnjë dyshim se Rama është arkitekt i bllokimit të këtyre veprave dhe të tjerave. Këto vepra nuk i kushtojnë asnjë kacidhe qeverisë, por bllokohen për shkak të verbërisë politike. Nëse është burrë, të mos hedhë gurin e të fshehë dorën, por t’i përgjigjet sfidës”, deklaroi Basha.

Sfidën për debat Basha e bëri pas inaugurimit të rindërtimit të një tjetër kopshti, atij numër 14 në zonën e Laprakës.

Basha fajësoi qeverinë dhe kryeministrin për projekte të tjera të parealizuara nga bashkia, për shkak të urdhrave politikë që kanë penguar investimet.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/