TIRANË, 3 korrik 2013 – Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha shpalli sot zyrtarisht kandidaturën për kreun e PD-së, pas dorëheqjes së Sali Berishës. Lulzim Basha zgjodhi datën 3 korrik, që përkon edhe një datë historike të demokratëve, atë të 3 korrikut të vitit 2005, kur PD erdhi në pushtet dhe udhëhoqi vendin për 8 vite.

Në një konferencë për shtyp nga selia e PD-së, Basha bëri me dije se pas reflektimit të gjatë, mijëra mesazheve nga mbështetësit dhe konsultës me kryeministrin Berisha vendosi të shpallë kandidimin e tij për kreun e PD-së. 

“Një javë me parë nga kjo foltore, Kryetari i Partisë Demokratike, Kryeministri Sali Berisha iu drejtua demokratëve dhe mbarë qytetarëve shqiptarë, me një mesazh të cilin jam i bindur që ju, ashtu si unë, kemi uruar me gjithë shpirt të kish qenë tjetër. Këto kanë qenë ditë reflektimi të thellë për ne demokratët dhe gjithë mbështetësit tanë, anembanë vendit. Sot, familja e madhe e demokratëve duhet të jetë më e bashkuar se kurrë. Tani është momenti që çdo anëtar i saj, çdo demokrat dhe demokrate, të jetë i gatshëm të japë kontributin e vet maksimal për këtë fillim të ri. Pas një reflektimi të gjatë, pas mijëra mesazheve të anëtarëve dhe militantëve të Partisë Demokratike dhe pas një bisede me Kryeministrin Berisha, jam sot para jush për t’ju komunikuar një nga vendimet më të vështira dhe të kthjellta të jetës time, vendimin për të kandiduar për kryetar të Partisë Demokratike”, u shpreh Basha duke theksuar peshën e rëndë që ka pasur për të marrja e një vendimi të tillë. 

I vetëdijshëm për trashëgiminë e madhe të Partisë Demokratike, Basha theksoi se në përpjekjen e tij për të drejtuar demokratët mbështetet tek vizioni, i themeluesve si themeluesve e Azem Hajdarit, dhe tek lidershipi historik i së djathtës Sali Berisha. 

“Partia Demokratike duhet dhe në pikëpamjen time do të ndërtojë nje sistem të qartë dhe transparent të meritës dhe kreditimit për kontributet e cdo anëtari. Kësaj duhet ti paraprije një analize e drejtë, e vërtetë dhe me përgjegjësi, para dhe pas cdo procesi zgjedhor. 
Kjo kërkon evidentimin e plotë të gjithë potencialit tonë njerëzor, të të gjithë kontributit historik të anëtarësisë tonë në vite, dhe angazhimin pa asnjë hezitim, pa asnjë pengesë te këtij potenciali i cili i vënë në punë me eficencë, përbën një forcë të pathyeshme njerëzore sic demonstrojnë edhe fushatat tona fituese. Dhe në përpjekjen time për ta drejtuar këtë fillim të ri unë do të mbështetem fort tek vizioni, kurajo dhe qëndresa e themeluesve, e Azem Hajdarit, dhe qëndrestarëve të tjerë. Do të mbështetem tek përvoja e cmuar e dhjetëra drejtuesve te Partisë Demokratike sot, dhe ndër vite. Do të mbështetem tek lidershipi historik i Sali Berishes që është një pasuri e pacmueshme për Partinë Demokratike dhe projektin tonë të Fillimit të Ri. Unë besoj fort dhe do të punoj që Partia Demokratike te vazhdojë të jetë partia e zërit te qytetarëve shqiptarë, përfaqësuesja më e denjë e interesave të tyre”, u shpreh Basha. 

2 sfidat dhe qëllimet që Lulzim Basha ka marrë përsipër në garën për kreun e PD, janë ringritja e PD dhe fitorja e ardhshme. Kandidati Basha u shpreh i gatshëm për një garë transparente dhe larg fyerjeve dhe përbaltjes së kundërshtarëve. 

“Qëllimi i parë garës së ardhshme për mua ështëtë dalim më të bashkuar dhe më të vendosur. Cdokush qe e sheh kete garë si nje mundësi per te goditur, përbaltur, dhe përcarë duhet që nga ky moment te llogarisë në kundërshtimin tim të fortë dhe të prerë. Negativizmi nuk ka vend ne kete garë. Sepse ndonëse e rëndësishme, kjo garë nuk është qëllim në vetvete. Qëllimi i madh është ringritja e Partisë Demokratike dhe fitorja e ardhshme”, theksoi Basha. 

Basha njëherësh kryetari i Bashkisë së Tiranës siguroi në fund kryeqytetasit se do përmbushë çdo angazhim dhe çdo premtim të bërë.