TIRANE, 6 korrik 2013 –Dy rivalët për pasardhësin e Sali Berishës në PD, Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi nisën dje takimet me anëtarësinë e partisë për të marrë sa më shumë mbështetje në zgjedhjet e 22 korrikut. Kryebashkiaku Lulzim Basha takoi dje kreun e PD-së së Kukësit Ibsen Elezi.

“Unë kam hyrë në garë vetëm për të fituar. Do të kthehem sërish tek ju për të filluar fushatën për kreun e PD, por sot jam thjesht për mirënjohjen time ndaj jush. Duhet të bëjmë gjithçka që të kthejmë PD në pushtet”, – tha Basha.

Takimet me bazën e PD-së, Basha do t’i zhvendosë sot në qytetin e Elbasanit. Si duket ai ka zgjedhur që takimin e parë ta zhvillojë me demokratët e këtij qyteti, ku në zgjedhjet e 2009 drejtoi grupin e punës. Ai u zgjodh deputet dhe u konsiderua një rezultat pozitiv që 14 mandatet e qarkut të Elbasanit u ndanë barazim mes socialistëve dhe demokratëve. Kandidati tjetër për postin e kreut të ri të PD-së, ministri i Transporteve Sokol Olldashi do të jetë në Fier.

Në këtë qark është zgjedhur dy herë rresht deputet dhe gëzon një mbështetje të gjerë tek anëtarësia e Partisë Demokratike. Por këtë herë Sokol Olldashi takon strukturat e partisë në Fier në kërkim të votave të tyre për garën e 22 korrikut. Kreu i ri i PD-së do të zgjidhet për herë të parë përmes procedurës së re “një anëtar-një votë” një ndryshim ky që do të futet edhe në statusin aktual të PD-së.
 

SELIA E PD

Një ditë pas mbledhjes së kryesisë së PD-së, e cila zyrtarizoi datën 22 korrik si datën e zgjedhjeve për pasardhësin e Sali Berishës, zyrtarët e PD-së pothuajse kanë zbrazur selinë qendrore të partisë. U rikthyen në PD pas humbjes së 23 qershorit, por këtë fundjavë në ndërtesën trekatëshe dje u panë shumë zyrtarë mes të cilëve ata që kishin ngarkesën e madhe të punës, gjatë këtyre ditëve, departamenti i organizimit, i cili po merret me organizimin e zgjedhjeve për kreun e ri të PD-së. Por dje u panë në seli edhe sekretari i përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode, nënkryetari, Astrit Patozi dhe deputeti i qarkut të Vlorës, Arben Ristani. Të tjerët duket se janë shpërndarë nëpër bazë, disa në mbështetje të kandidatit për kryetar partie Sokol Olldashi dhe disa të tjerë në mbështetje të kandidatit tjetër Lulzim Basha. Deri më datën 22 korrik, ata do të zhvillojnë fushatë në të gjitha qytetet e vendit për të tërhequr sa më shumë vota nga demokratët për të fituar vendin e Sali Berishës pas dorëheqjes nga postet partiake. Ndërkohë në një prononcim për mediat, ish- deputeti demokrat Sybi Hida, e cilësoi reale dhe të fortë garën mes Bashës dhe Olldashit.

“Kjo është një garë, e cila tregon vlerat e PD, një garë e drejtë, një garë me vizione të qarta për kthimin e identitetit dhe kthimin e PD në një maxhorancë”, – tha ai.