Lulzim Basha ka zhvilluar një sërë takimesh në Bruksel, me ata që ai i quan miq dhe partnere të Partisë Demokratike.

Me anë të një postimi në Facebook, Basha thotë se i ka prezantuar Komisionerit për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Oliver Várhelyi nismën për vettingun në politikë dhe reformën zgjedhore.

Po ashtu, Basha thotë se ka diskutuar edhe për situatën në veri të Kosovës, tensionet në Lindjen e Mesme apo edhe luftën në Ukrainë.

“Me miq dhe partnerë të PD-së, në takimin e Komitetit Ekzekutiv IDC-CDI (Organizata e Partive të Qendrës dhe Qendrës së Djathtë) në Bruksel.

Në biseda të veçanta, përfshirë dhe atë me Komisionerin për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Olivér Várhelyi, iu prezantova nismat e Partisë Demokratike për vettingun  në politike dhe ndryshimet e propozuara për reformën zgjedhore.

Diskutuam për situatën në Kosovë, ku shpreha shqetësimin për ngjarjen e Banjskës, e cila ishte një përpjekje për te aplikuar skenarin e Krimesë dhe në vijim të përpjekjeve të Rusisë për destabilitimin e rajonit, skenar i cili është shtrirë në Bosnje dhe po kërcënon Malin e Zi.

Situata në Lindjen e Mesme është një tjetër shqetësim për botën sot. Rreziku i zgjerimit të konfliktit ka tërhequr disi vëmëndjen edhe nga lufta në Ukrainë, nga e cila po përfiton Rusia.

Pata mundësi të diskutoj edhe me delegacionin e Ukrainës për rezolutën që po diskutohet në Këshillin e Europës për rindërtimin e Ukrainës, e cila po pritet me interes të vecantë për shkakt të dëmeve të jashtëzakonshme të shkaktuara nga agresioni rus.

Një nga çështjet e tjera me interes nisur dhe nga zhvillimet  e fundit në rajonin tonë, ishte diskutimi për krizat e shumëfishta të luftës në portën e Europës dhe skenarët e mundshëm për pasojat që ato kanë për rendin ndërkombëtar”, shkruan Basha.